Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan ka mbajtur një takim konsultativ dhe organizativ, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe fuqizimit të komunikimit me bazën partiake.
Takimi u kryesua nga kryetari i degës, Sokol Haziri, ndërsa morën pjesë edhe përfaqësues të nivelit qendror: nënkryetari Smajl Latifi, sekretari i përgjithshëm Avni Arifi, si dhe Albulena Kokollari, Lindije Vranovci Matoshi e Kushtrim Xhemaili.
Gjatë këtij takimi u theksua nevoja e pashmangshme për një komunikim të vazhdueshëm me strukturat nëpër komuna, si dhe informimi i qytetarëve për gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike në vend.
Në mënyrë të veçantë u ngrit shqetësimi për stagnimin e gjithanshëm dhe injorimin që po i bëhet nivelit lokal nga qeverisja qendrore.
Ndër të tjera, u nënvizua se Aleanca mbetet shembulli më i mirë se si duhet të qeverisen komunat, duke marrë parasysh zhvillimin praktik, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe ndërtimin e një infrastrukture që lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Fokus i veçantë gjatë bashkëbisedimit iu kushtua planeve dhe projekteve urgjente për Gjilanin dhe mbarë Anamoravën.
Po ashtu, u nënvizua rëndësia e lidhjes strategjike me Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, si pjesë e përkujdesjes së vazhdueshme dhe mbështetjes për bashkëkombësit tanë në ato treva.
