Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Viti, ka marrë vendim për ndërtimin e Kullës së Heroit të Kombit, Gjeneral Major Rexhep Bislimi, në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe qytetarët e komunës sonë.
Punimet tashmë kanë filluar dhe ky projekt po realizohet me qëllim që të ruajmë kujtimin dhe të nderojmë jetën e veprën e njërit prej veprimtarëve dhe luftëtarëve të hershëm të çështjes kombëtare.
REXHEP BISLIMI – GJENERAL MAJOR, KOMANDANT I LIRISË DHE HERO I KOMBIT
Rexhep Bislimi (13 shtator 1966 – 21 korrik 1998) ishte njëri ndër veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare dhe ndër figurat e rëndësishme të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj dhe rrethinë. Jeta dhe veprimtaria e tij u karakterizuan nga atdhedashuria, guximi, qëndresa dhe përkushtimi i palëkundur për lirinë e Kosovës.
Me prejardhje familjare nga Stublla e Poshtme e Vitisë, Rexhepi u rrit në një familje me tradita të forta atdhetare, ku ndershmëria, sakrifica dhe dashuria për atdheun ishin vlera themelore.
Që në moshë të re, ai iu bashkua demonstratave të vitit 1981 dhe më pas u angazhua në lëvizjen ilegale kombëtare. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përball me arrestime, burgosje dhe tortura nga organet represive serbe, por asnjëherë nuk u zmbraps nga rruga që kishte zgjedhur.
Rexhep Bislimi ishte ndër veprimtarët e hershëm të organizimit të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Ferizajt. Me vendosmëri dhe përkushtim, ai punoi për organizimin, konsolidimin dhe fuqizimin e njësive të para çlirimtare, duke marrë përgjegjësi të rëndësishme në përgatitjen e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit serb.
Si komandant i njësitit të Ferizajt, Rexhepi u bë një nga figurat qendrore të organizimit të luftës çlirimtare në këtë rajon. Veprimtaria e tij ishte fillimi i rrugës që çoi drejt forcimit të UÇK-së dhe krijimit të strukturave të saj ushtarake në Zonën Operative të Nerodimes.
Organizoi dhe udhëhoqi sulmin e parë në Zonën Operative të Nerodimes, në postbllokun famëkeq në udhëkryqin Ferizaj-Viti-Kaçanik, në fshatin Gurez (Gerlicë), më 12 shtator 1997.
Më 21 korrik 1998, në moshën vetëm 32-vjeçare, ai ra duke dëshmuar se dashuria për atdheun dhe besnikëria ndaj idealit të lirisë qëndrojnë mbi çdo dhimbje e sakrificë.
Rënia e tij nuk e ndali rrugën e lirisë. Përkundrazi, vepra dhe qëndresa e tij mbetën frymëzim për bashkëluftëtarët dhe brezat që erdhën pas tij.
Në nderim të kontributit të tij, Rexhep Bislimi u gradua pas vdekjes me titullin Gjeneral Major, ndërsa emrin e tij e mban edhe Brigada e Xhenios e TMK-së. Emri i tij është përjetësuar gjithashtu në arteriet kryesore të qytetit të Ferizajt dhe Vitisë.
Sot, emri Rexhep Bislimi përfaqëson më shumë se kujtimin e një luftëtari. Me shtatoren në qendër të Ferizajt, ai vazhdon të qëndrojë si simbol i qëndresës, besës, guximit dhe sakrificës për liri. Jeta dhe vepra e tij mbeten pjesë e historisë së lavdishme të luftës çlirimtare të Kosovës dhe e kujtesës sonë kombëtare.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Gjeneral Major Rexhep Bislimit!
Nderim përjetë sakrificës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!
FTESË PËR MBËSHTETJE
Ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët, mërgimtarët, bizneset dhe qytetarët që kanë mundësi e dëshirë të na bashkohen në realizimin e këtij projekti.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e Kullës së Rexhep Bislimit, mund të na kontaktojnë drejtpërdrejt në OVL-UÇK, Dega në Viti.
Çdo kontribut është i mirëseardhur dhe ka vlerë për ne.
Për kontakt: 049 250 258
Së bashku ta përfundojmë këtë kullë, ashtu siç e meriton kujtimi i heroit tonë!
Me respekt,
Idriz Quni
Kryetar i OVL-UÇK-së
Dega në Viti
