Kamenicë, 4 nëntor 2026 – Inspektorati Komunal i Komunës së Kamenicës ka shqiptuar një gjobë në vlerë prej 500 eurosh ndaj një pronari biznesi, për shkak të hedhjes së mbeturinave inerte në shtratin e lumit në fshatin Koretin.
Reagimi i inspektorëve erdhi pas ankesave të menjëhershme të banorëve të zonës dhe bashkëpunimit me Policinë e Kosovës. Me të dalë në vendngjarje, inspektorët komunalë kanë konstatuar shkeljen e dispozitave ligjore në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
Përveç shqiptimit të gjobës prej 500 eurosh, personit përgjegjës i është kërkuar që të kryejë pagesën brenda afatit të përcaktuar ligjor dhe të sanojë dëmin e shkaktuar.
Nga Komuna e Kamenicës kanë bërë të ditur se nuk do të tolerohet asnjë veprim që dëmton mjedisin, ndot hapësirat publike apo rrezikon mirëqenien e qytetarëve.
Gjithashtu, u është bërë apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit dhe të mos hedhin mbeturina në lumenj apo hapësira publike, pasi çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.
“Ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët,” përmbyll njoftimin Komuna e Kamenicës./dita24h/
