Sot, në 31-vjetorin e ndarjes nga jeta të Plakut të Urtë, Prof. Anton Çettës, kujtojmë me përulje e mirënjohje të pafundme misionin e tij madhështor që bashkoi zemrat shqiptare dhe i dha krah lirisë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të autorit Ismet Sylejmani:
ANTON ÇETTA – SIMBOL I PAJTIMIT KOMBËTAR
31 vjet më parë, saktësisht më 4 Nëntor 1995, mbylli sytë dhe u nda nga jeta përgjithmonë Plaku i Urtë, Simboli i Pajtimit të Kombit, i madhi i përjetshëm, i pavdekshmi Anton Çetta!
Më 4 Nëntor 1995, Kosova dhe Viset e Saja nën ish-Jugosllavi dhe populli shqiptar në përgjithësi, humbi njërin nga burrat më të mëdhenj të dijes, të urtësisë dhe të humanizmit, kurse Kombi shqiptar humbi njeriun që me fjalën e tij pajtoi gjaqe, shuajti hasmëri, bashkoi zemra, pajtoi familje, shëroi plagë dhe e shndërroi faljen e dhënë në një akt madhështor njerëzor e kombëtar!
Anton Çetta nuk ishte vetëm Kryepajtimtari i Gjaqeve!
Misioni i fushatës ishte kryelajm kombëtar dhe ndërkombëtar, sepse mediat vendore dhe ato botërore njoftonin se në krye të Kuvendit të Pajtimit Kombëtar ishte vënë një katolik shqiptar, Anton Çetta, i cili, përtej dallimeve fetare, krahinore e ideologjike, kishte marrë përsipër misionin madhështor të pajtimit të shqiptarëve!
Ky ishte një mesazh i fuqishëm për mbarë botën, se shqiptarët, pavarësisht besimit fetar, ishin një popull, me një gjak, me një gjuhë, me një histori dhe një Atdhe të përbashkët!
Prof. Anton Çetta atëherë dhe Presidentja Justina Shiroka-Pula sot, do të mbeten kryevlerat e mëdha të kombit, dhe goditja në zemër e platformës serbomadhe të fundamentalizmit se Kosova është vend islamik!
Anton Çetta kishte për busull të Tij platformën historike të Nënë Terezës, e cila u vazhdua me heroizëm të heshtur si guri, edhe nga një Nënë tjetër, nga Nënë Tereza e UÇK-së Stanë Pjetër Gashi!
Anton Çetta ishte ndërgjegjja morale e një populli të tërë që kërkonte bashkimin në kohët më të vështira të historisë kombëtare të Kosovës!
Në vitet kur Kosova forcohej me shtypjen dhe dhunën e regjimit serb, kur shqiptarët kishin nevojë për unitet, solidaritet dhe qëndresë kurizore, kur farkëtohej dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tribunën e historisë kombëtare, Prof. Anton Çetta, së bashku me nismëtarët e parë, anëtarë të LPK-së, me studentë, me intelektualë dhe me veprimtarë të shumtë, ish-të burgosur politikë, hoxhallarë e priftërinj, iu përkushtua dhe e udhëhoqi një mision historik, atë të pajtimit të gjaqeve ndërmjet shqiptarëve kudo në ish-Jugosllavi!
Ai si vullkan hyri në odat shqiptare, ku dhimbja ishte trashëguar brez pas brezi, si produkt direkt i vëllavrasjes!
U ul përballë njerëzve që kishin humbur më të dashurit e tyre dhe me fuqinë e fjalës së Tij që ishte më e rëndë se plumbi, me autoritetin e madh që kishte krijuar, kërkoi që urrejtja t’ia linte vendin faljes, hakmarrja t’ia linte vendin pajtimit dhe përçarja t’ia linte vendin vëllazërisë!
Ai e kuptoi më mirë se kushdo tjetër, se një popull që kërkon lirinë dhe përgatitet ushtarakisht për të luftuar me armë në dorë, duhet të gjejë edhe forcën për të kapërcyer armiqësitë brenda vetes dhe të dalë në front të luftës së armatosur çlirimtare kundër Serbisë pushtuese, më i bashkuar se kurrë, ashtu edhe u bë!
Verrat e Llukës dhe tubimet e tjera të mëdha anë e mbanë nëpër Kosovë e Vise për pajtim, mbetën dëshmi historike të fuqisë së solidaritetit të pashembullt e mbinjerëzor shqiptar!
Anton Çetta dëshmoi se madhështia e një populli nuk matet vetëm me qëndresën e armatosur çlirimtare përballë padrejtësisë së okupatorit, por edhe me aftësinë për të falur, siç na mësonte Simboli i Rezistencës Baca Adem Demaçi, “trimi është ai që shtrin dorën e pajtimit e jo ai që ngrit gishtin e krimit…”, për të ruajtur jetën dhe për ta vendosur të ardhmen e përbashkët mbi plagët e së kaluarës dhe objektivat liridashëse të perspektivës!
Ai ishte dijetar, profesor universitar, studiues i madh i folklorit dhe njohës i thellë i trashëgimisë shpirtërore shqiptare në përgjithësi e të asaj të Drenicës në veçanti!
Ai nuk e mësoi urtësinë vetëm nga librat, por edhe nga jeta, nga traditat dhe nga shpirti e vitaliteti heroik i popullit shqiptar!
Anton Çetta si kuadër i Liceut të Korçës dhe nxënës i Prof. Enver Hoxhës Kryeudhëheqësit të Shqipërisë dha prova e dëshmoi me fakte të shumta se pajtimi i popullit shqiptar ishte shumë i mundshëm, dhe ashtu edhe ndodhi, u falën mijëra gjaqe e hasmëri të ndryshme!
Fjala e Anton Çetës kishte peshë të madhe!
Prania e tij ngjallte besim kudo!
Emri i Tij u bë simbol i pajtimit dhe i bashkimit të Kombit!
Në historinë e kombit rrallë lindin figura të mëdha e të shquara si Anton Çetta, i cili katërçipërisht dëshmon se ka njerëz që përjetësohen për betejat që kanë fituar, por edhe njerëz që përjetësohen për jetët që kanë shpëtuar dhe tragjeditë që kanë parandaluar!
Anton Çetta, vëllau origjinal i Nënë Terezës, ishte dhe mbetet shembulli më i madh i shqiptarit origjinal!
Anton Çetta i përket asaj plejade të rrallë të njerëzve të mëdhenj, të cilët historinë nuk e shkruan me urrejtje, por me humanizëm, me urtësi dhe me dashuri të pakufishme për popullin, Atdheun dhe Kombin!
Sot, 31 vjet pas ndarjes nga jeta të Tij, trashëgimia e Anton Çettës mbetet një nga amanetet më të mëdha për brezat që do të vijnë të Kombit shqiptar!
Në tubimet ku mbajti fjalimet e Tij të famshme e historike Plaku legjendar Anton Çetta, kudo pjesëmarrës e kishte kryeajkën dhe ajkën e Kombit!
Duke filluar nga Komandanti Legjendar i UÇK-së Adem Jashari, Komandanti Zahir Pajaziti, Haradinajt e famshëm, Mujë Krasniqi e shumë të tjerë Heronj e Dëshmorë të Kombit!
Më 4 Nëntor 1995 u nda nga jeta Anton Çetta, por nuk u shua e nuk do të shuhet kurrë drita e veprës së Tij të pavdekshme!
Nderim dhe mirënjohje të përjetshme Kryepajtimtarit të popullit shqiptar të Kosovës!
Anton Çetta u nda nga jeta, por vepra, urtësia dhe amaneti i tij për pajtim e bashkim mbeten të pavdekshme!
Lavdi jetës dhe veprës së Anton Çettës!
Ismet Sylejmani
Prishtinë, 4 Nëntor 2026
