Gjilan, 11 nëntor 2026 – Futbolli kosovar ka ecur me hapa të shpejtë drejt profesionalizmit në dekadën e fundit, e një nga shembujt më kuptimplotë të këtij transformimi është FC Drita.
Drejtori i përgjithshëm i klubit, Feti Murseli, ka zbuluar shifra mbresëlënëse rreth buxhetit dhe operimeve vjetore të skuadrës, duke dëshmuar se si një klub lokal është ngritur në nivele të mirëfillta evropiane.
Aktualisht, shpenzimet dhe daljet vjetore të FC Dritës kapin shifrën e rreth 3 milionë eurove në vit, një shumë jashtëzakonisht e lartë për rrethanat dhe standardet e futbollit kosovar.
Kujtimet e vitit 2016, kur drejtimi aktual mori frenat e klubit, duken tashmë shumë larg.
Në atë kohë, harxhimet vjetore të Dritës silleshin rreth 250 mijë euro. Përkthyer në shifra, kjo përbën një rritje prej 1100% brenda një dekade, ku vlera është rritur për 12 herë.
Kjo ngritje e buxhetit nuk ka ardhur rastësisht, por është pasqyrim i ambicieve të larta, rritjes së pagave, profesionalizimit të stafit dhe zgjerimit të strukturave të klubit.
Buxheti i lartë i gjilanasve përfshin një spektrum të gjerë obligimesh mujore dhe vjetore.
Përveç pagave për futbollistët, stafin teknik, atë logjistik dhe administrativ, klubi përballet çdo ditë me shpenzime të paplanifikuara.
Një prej treguesve më të qartë të madhësisë operative të klubit është fakti se vetëm për akomodimin e futbollistëve shpenzohet një vlerë e konsiderueshme mjetesh.
Edhe pse shpenzimet janë të larta, drejtori Murseli thekson se falë përkushtimit të pronarëve, Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku, klubi nuk ka asnjë lloj telashe financiare dhe çdo obligim kryhet me kohë.
Në 10 vjetët e udhëheqjes nga ky staf drejtues dhe këta dy pronarë, skuadra ka arritur të shpallet katër herë kampione.
Një ndihmesë e madhe në këtë drejtim vjen edhe nga sukseset në arenën ndërkombëtare.
Paraqitjet në garat evropiane kanë rritur ndjeshëm të hyrat e klubit, duke lehtësuar mbajtjen e këtij ritmi financiar.
Me pesë tituj kampioni në histori dhe si një nga skuadrat më të organizuara në vend, FC Drita vazhdon të mbetet modeli se si ndërtohet një sukses i qëndrueshëm sportiv në Kosovë./dita24h/
