KRONIKË/Sindikata e Policisë dhuron shtëpi të re për një zyrtar policor në Gjilan

Gjilan, 11 nëntor 2026 – Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar nga donatori “Arkatana” një shtëpi të re me sipërfaqe mbi 100 m² dhe 3 ari truall, e cila ndodhet në një lagje të re në qytetin e Gjilanit.

​Kjo shtëpi do t’i dhurohet nga Sindikata një zyrtari policor në Gjilan, si mbështetje e drejtpërdrejtë për të dhe familjen e tij.

​Gjatë një ceremonie simbolike është bërë edhe dorëzimi i çelësave të shtëpisë, duke shënuar përmbylljen e këtij projekti humanitar dhe një hap të rëndësishëm drejt krijimit të kushteve më të mira të jetesës për familjen përfituese.

​Nga Sindikata e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se ky projekt është rezultat i angazhimit sindikal dhe i bashkëpunimit konkret në mbështetje të anëtarësisë, duke dëshmuar se solidariteti merr kuptim përmes veprave konkrete.

​Me këtë rast, Sindikata ka shprehur mirënjohje të thellë për donatorin “Arkatana” për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë, duke konfirmuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë tutje në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së zyrtarëve policorë e familjeve të tyre./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët