ARSIM/UKZ prezanton kontributin në takimin transnacional të projektit CoVE STEM Europe në Gjermani

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka prezantuar kontributin dhe të arriturat e tij në kuadër të projektit CoVE STEM Europe, gjatë takimit të katërt Transnacional të Partnerëve, i cili u mbajt më 9 dhe 10 nëntor 2026 në Mülheim an der Ruhr të Gjermanisë, nën organizimin e institucionit pritës ZENIT.

​Në këtë takim morën pjesë partnerët e konsorciumit për të shqyrtuar progresin e projektit, për të vlerësuar aktivitetet e realizuara dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

UKZ u përfaqësua nga ekipi i projektit, i cili kontribuoi përmes prezantimeve dhe diskutimeve në disa prej paketave kryesore të punës, duke shpalosur përvojat, rezultatet dhe perspektivën e Kosovës në zhvillimin e arsimit profesional dhe ekosistemit STEM.

​Gjatë prezantimeve, Luljete Berisha, udhëheqëse e Paketës së Punës 6 (WP6), prezantoi progresin në fushën e marketingut ndërkombëtar dhe diseminimit, me fokus në zhvillimin e një fushate të koordinuar ndërmjet partnerëve për rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të projektit.

Xhevdet Thaqi prezantoi zhvillimin dhe aktivitetet e Qendrës së Ekselencës Profesionale (CoVE) në Kosovë, duke vënë në pah progresin e arritur dhe förpjekjet për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, arsimit profesional dhe sektorit të industrisë.

​Nga ana tjetër, Buen Bajrami prezantoi përgatitjet për organizimin e Hakatonit Ndërkombëtar (WP4), aktivitet ky që synon të nxisë inovacionin, kreativitetin dhe bashkëpunimin në adresimin e sfidave praktike në fushat STEM. Ndërkaq, në kuadër të Paketës së Punës 5 (WP5), Valon Syla prezantoi perspektivën e Kosovës në fushën e avokimit për ndryshime në politika, duke kontribuar në diskutimet mbi prioritetet kombëtare dhe mundësitë për përmirësimin e politikave që mbështesin arsimin profesional.

​Gjatë dy ditëve të takimit, partnerët shqyrtuan progresin e paketave të ndryshme të punës, përfshirë menaxhimin dhe koordinimin e projektit (WP1), rritjen e atraktivitetit të arsimit profesional në fushat STEM (WP3), marketingun dhe diseminimin ndërkombëtar (WP6), organizimin e Hakatonit Ndërkombëtar (WP4), si dhe vlerësimin dhe sigurimin e cilësisë (WP7). Në ditën e dytë, vëmendje e veçantë iu kushtua konceptit CoVE Flash (WP2) dhe avokimit për ndryshime në politika (WP5), me theks te prioritetet kombëtare dhe ndikimi afatgjatë i projektit.

​Pas përfundimit të punimeve në Mülheim an der Ruhr, partnerët e konsorciumit udhëtuan drejt Dortmundit, ku vazhduan angazhimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të projektit.

Pjesëmarrja dhe kontributi aktiv i ekipit të Universiteti Publik “Kadri Zeka” dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të këtij institucioni në realizimin e objektivave të projektit CoVE STEM Europe, avancimin e arsimit profesional dhe STEM, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët