FINANCA/Drejtori Avdyl Kastrati kërkon 498 mijë euro transfer për pagat e nëntorit

GJILAN – Drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, i ka kërkuar sot Kuvendit Komunal miratimin e transferit të mjeteve financiare në vlerë prej 497.972,10 eurosh brenda kategorisë “Paga dhe Shtesa”, me qëllim që punonjësit e Komunës t’i marrin me kohë pagat e muajit nëntor.

​Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur enkas për këtë çështje, Kastrati sqaroi se në pesë nënprograme mjetet e ndara për paga nuk mjaftojnë për t’i mbuluar pagesat e këtij muaji, ndaj kërkohet riorientimi i mjeteve që Komuna i ka në dispozicion në nënprogramet e tjera.

​Ai bëri të ditur se kjo kërkesë vjen pas njoftimit të Thesarit, më 4 nëntor, që Komuna në bashkëpunim me Departamentin e Buxhetit të Ministrisë së Financave të mbulojë mungesën në linjën e identifikuar, në mënyrë që ekzekutimi i pagave të nëntorit të kryhet në afat.

​Duke i njoftuar anëtarët e Kuvendit Komunal me gjendjen financiare, drejtori Kastrati tregoi se buxheti fillestar i Komunës së Gjilanit për paga në vitin 2026 ka qenë 23.196.167,00 euro, ndërsa shpenzimet deri në fund të muajit tetor kanë arritur në 21.035.110,29 euro.

Sipas analizës së paraqitur prej tij, efektet financiare të vendimeve të Qeverisë për shtesën e performancës, kontributin e punëdhënësit dhe përvojën e punës kapin vlerën e 2.324.475,05 eurove.

​Kastrati saktësoi se kërkesa mbështetet në nenin 14, paragrafin 7, të Ligjit nr. 10/L-001 dhe pas miratimit nga Kuvendi Komunal, ajo i përcillet Ministrisë së Financave për aprovim përfundimtar.

​Sa i përket muajve në vijim, drejtori i Financave tha se Projektligji për rishikimin e buxhetit, i miratuar tashmë në lexim të dytë, parasheh mbulimin e mjeteve të shpenzuara për pagën e 13-të, ndërsa për pagat e dhjetorit Komuna do të përcjellë me Ministrinë e Financave afatin dhe vlerën e alokimeve të pritshme.

Në fund, ai u bëri thirrje asambleistëve ta votojnë propozimin, duke theksuar se vota e tyre i mundëson Komunës t’i përfundojë me kohë procedurat për pagat e nëntorit.

Shpërndaj me të tjerët