ARSIM/UKZ në takimin fillestar të projektit evropian SMART-NOC në Sarajevë

GJILAN, 12 Nëntor 2026 – Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan morën pjesë në takimin fillestar (Kick-off Meeting) të projektit evropian SMART-NOC, i cili u mbajt më 9–11 nëntor 2026 në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësuesit e institucioneve partnere me qëllim të prezantimit të objektivave të projektit, strukturës së zbatimit, paketave të punës, rezultateve të pritshme dhe koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta.

​Universitetin Publik “Kadri Zeka” në këtë takim e përfaqësuan Arben Sahiti, u. d. Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Lulzim Rashiti, prodekan i Fakultetit Ekonomik,  Blerta Dushica, sekretare e Njësisë Akademike, si dhe znj. Vjosa Baftiu, u. d. Udhëheqëse e Divizionit për Zhvillim Akademik dhe Cilësi.

​Projekti SMART-NOC synon të rrisë efikasitetin organizativ dhe gatishmërinë digjitale të Komiteteve Olimpike Kombëtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes përdorimit praktik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale (AI).

Projekti fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve institucionale, avancimin e proceseve administrative dhe përmirësimin e mënyrës së organizimit dhe menaxhimit të punës përmes zgjidhjeve digjitale dhe mjeteve të bazuara në inteligjencën artificiale.

​Një nga komponentët e rëndësishëm të projektit është zhvillimi i një Kornize të Përbashkët të Mjeteve të Inteligjencës Artificiale (AI Toolkit Framework), e cila do të ofrojë udhëzime dhe mjete praktike për përdorimin e AI-së në procese të ndryshme organizative, duke marrë parasysh edhe kërkesat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimet e GDPR-së.

Po ashtu, projekti parasheh hartimin e planeve institucionale për transformimin digjital, me qëllim të sigurimit të përdorimit të qëndrueshëm të zgjidhjeve të zhvilluara.

​Për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, pjesëmarrja në SMART-NOC është një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në fushën e transformimit digjital dhe përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive të reja. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët