Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, me shumicë votash është miratuar propozimi për transferimin e 497.972,10 eurove brenda kategorisë Paga dhe Shtesa, me qëllim të sigurimit të pagave të nëntorit për punonjësit e Komunës.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, gjatë prezantimit të propozimit ka bërë të ditur se në pesë nënprograme buxhetore, mjetet e planifikuara për paga janë të pamjaftueshme për mbulimin e obligimeve të këtij muaji, andaj është propozuar rishpërndarja e mjeteve të disponueshme nga nënprogramet e tjera, brenda buxhetit ekzistues të Komunës.
Ai ka theksuar se kërkesa vjen edhe pas njoftimit të Thesarit, më 4 nëntor, për nevojën e mbulimit të mungesës buxhetore në bashkëpunim me Departamentin e Buxhetit të Ministrisë së Financave, në mënyrë që pagat e nëntorit të ekzekutohen pa vonesa.
Sipas të dhënave të prezantuara, buxheti fillestar për paga për vitin 2026 ka qenë 23.196.167 euro, ndërsa shpenzimet deri në fund të tetorit kanë arritur në 21.035.110,29 euro. Ndërkohë, efektet financiare të vendimeve të Qeverisë për shtesën e performancës, kontributin e punëdhënësit dhe përvojën e punës arrijnë në 2.324.475,05 euro.
Kastrati ka sqaruar se transferimi i miratuar nuk kërkon mjete shtesë jashtë buxhetit ekzistues të Komunës, por mundëson orientimin e mjeteve të disponueshme drejt pesë nënprogrameve ku është identifikuar mungesa.
Me miratimin e këtij propozimi nga shumica e anëtarëve të Kuvendit Komunal, kërkesa do t’i përcillet Ministrisë së Financave për aprovim, duke i hapur rrugë përfundimit të procedurave për ekzekutimin me kohë të pagave të nëntorit.
Sa u përket pagave të dhjetorit, drejtori Kastrati ka bërë të ditur se Komuna do të vazhdojë koordinimin me Ministrinë e Financave lidhur me afatet dhe vlerën e alokimeve të pritshme.
