Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan po vazhdon zbatimin e aktiviteteve për sensibilizimin dhe edukimin e nxënësve në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.
Gjatë ditës së sotme, më 12 nëntor 2026, kjo drejtori në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq dhe Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, organizoi një ligjëratë edukative me nxënësit e SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan.
Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit dhe personeli mësimor u informuan nga afër për rëndësinë dhe rolin e njësive emergjente në përballimin e situatave të ndryshme të rrezikut.
Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq prezantuan mënyrat praktike të ofrimit të ndihmës së parë, Policia e Kosovës informoi për rolin dhe mbështetjen e saj në raste emergjente, ndërsa Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit prezantoi pajisjet dhe mjetet që përdoren gjatë intervenimeve në raste zjarresh, aksidentesh në komunikacion, vërshimesh dhe tërmetesh.
Përmes këtyre ligjëratave synohet rritja e vetëdijesimit, njohurive dhe gatishmërisë së nxënësve për të vepruar drejt dhe me përgjegjësi në situata emergjente. Aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në shkollat e tjera të Komunës së Gjilanit./dita24h/
