ARSIM/Donacion prej 900 eurosh nga “ENG OFFICE” për ngrohjen e Shkollës “Liria” në Pogragjë

Gjilan / Pogragjë – Shkolla “Liria” në Pogragjë ka pranuar një donacion në vlerë prej rreth 900 eurosh nga kompania “ENG OFFICE”, i dedikuar për përmirësimin e sistemit të ngrohjes në këtë institucion arsimor.

​Ky investim ka mundësuar blerjen e një kaloriferi të ri, si dhe servisimin e plotë të sistemit të ngrohjes qendrore. Përmes kësaj ndërhyrjeje, janë krijuar kushte dukshëm më të mira dhe më të ngrohta për zhvillimin e procesit mësimor si për nxënësit, ashtu edhe për stafin arsimor.

​Drejtoria e shkollës ka shprehur mirënjohjen e thellë për këtë mbështetje, duke theksuar se ngrohja adekuate është një ndër elementet kryesore për mirëqenien, përqendrimin dhe suksesin e nxënësve gjatë ditëve të ftohta.

​Sipas përfaqësuesve të shkollës, ky gjest human dhe solidar dëshmon se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore dhe bashkëvendasve të suksesshëm sjell rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në shërbim të gjithë komunitetit./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët