Gjilan – Zvogëlimi dhe në disa raste eliminimi i plotë i trotuareve nëpër rrugët e Gjilanit, për t’u krijuar hapësirë parkingjeve të automjeteve, po kthehet në një shqetësim serioz për banorët e këtij qyteti.
Për këtë problematikë ka reaguar publikisht qytetari gjilanas Bashkim Isufi, i cili përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale ka ngritur alarmin lidhur me gjendjen në rrugën “Demush Mustafa”.
Sipas tij, ndonëse gjithçka mund të gjejë një formë arsyetimi, mungesa e plotë e trotuarit në një rrugë brenda qytetit, e cila konsiderohet zonë e urbanizuar, është e vështirë të arsyetohet.
Isufi vlerëson se ky veprim ngre një pyetje thelbësore për planifikimin urban në komunë, nëse po u jepet përparësi automjeteve duke lënë anash të drejtën elementare të këmbësorëve për lëvizje të lirë dhe të sigurt.
Në reagimin e tij, ai ka kërkuar një zhvillim urban të harmonizuar, i cili krahas hapësirave për ndërtime dhe vendparkime, garanton patjetër edhe hapësira publike, trotuare funksionale dhe kushte të sigurta për të gjithë këmbësorët. /dita24h /
