Klubi i volejbollit Drita ka regjistruar një fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 10-të të Superligës A në konkurrencën e meshkujve, duke e mposhtur me rezultat të pastër 3-0 në sete skuadrën e Forcës.
Me këtë triumf, gjilanasit mbeten fuqishëm në garë për një vend në katërshen e parë të kampionatit.
Vendasit e kontrolluan takimin nga fillimi deri në fund, duke mos i lënë shumë hapësirë kundërshtarit. Dominimi i Dritës u reflektua në rezultatet e të tre seteve.
Gjilanasit e nisën mirë ndeshjen duke fituar setin e parë me rezultat 25:14, ndërsa në setin e dytë ishin edhe më bindës duke triumfuar 25:11.
Në setin e tretë, skuadra vendase e menaxhoi me sukses avantazhin për ta vulosur fitoren me rezultat 25:17.
Për Dritën kjo ishte fitorja e pestë në dhjetë ndeshje të zhvilluara këtë edicion, bilanc që e mban në hap me pozitat e kreut në tabelë.
Në anën tjetër, Forca vazhdon të kërkojë fitoren e parë në sezonin e saj debutues në elitën e volejbollit kosovar.
Pavarësisht mungesës së rezultateve pozitive, skuadra po vlerësohet si një prej ekipeve më simpatike të kampionatit, duke respektuar garën dhe duke ofruar përballje interesante në çdo xhiro./dita24h/
