SPORT/Pesë medalje për xhudistët e Gjilanit në Turneun Ndërkombëtar “Adem Jashari 2026”

DISIPLINË, PUNË DHE SHPIRT LUFTSHARAK NË TATAMI

​GJILAN – Klubi i xhudos “Gjilani” ka konfirmuar edhe një herë se është një nga vatrat më të fuqishme të zhvillimit të këtij sporti në vend, duke shkëlqyer në edicionin e sivjetmë të Turneut Ndërkombëtar “Adem Jashari 2026”.

​Me një paraqitje dinjitoze dhe me një formë të lartë fizike e taktike, xhudistët gjilanas kanë dëshmuar se puna e palodhur në palestër shpërblehet gjithmonë me rezultate kulmore.

Përballë konkurrentëve të fortë nga vende të ndryshme, garuesit e këtij klubi kanë treguar karakter prej kampionësh, duke u ngjitur plot pesë herë në podiumin e fituesve.

Në këtë garë prestigjioze, medaljen e artë dhe vendin e parë e rrëmbeu Isra Halimi, ndërsa me medalje të argjendtë dhe vendin e dytë u kurorëzua Sumeja Ramadani.

Suksesin e plotë të ekipit e vulosën me medalje të bronzta, duke zënë vendin e tretë në kategoritë e tyre përkatëse, xhudistet Agnesa Berisha, Feroza Abazi, si dhe xhudisti Luan Berisha.

​Ky bilanc i jashtëzakonshëm në një turne të përmasave të tilla ndërkombëtare është një tjetër dëshmi e talentit dhe përkushtimit të pandalur të rinisë së Gjilanit.

Drejtuesit, trajnerët dhe vetë garuesit e klubit “Gjilani” premtojnë se ky nuk është fundi, por vetëm një tjetër stacion drejt sfidave dhe sukseseve të reja në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

​Urime kampioneve dhe kampionit të klubit për këtë përfaqësim brilant dhe vazhdimësi drejt majave të suksesit!/dita24h/

Shpërndaj me të tjerët