Universiteti Publik Kadri Zeka mori pjesë në punëtorinë e parë të trajnimit të projektit Erasmus+ AGILE, të mbajtur në Riga Technical University në Riga të Letonisë. UKZ u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe menaxheri i projektit AGILE Selim Daku dhe udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Betim Berisha.
Punëtoria mblodhi partnerët e projektit nga Greqia, Letonia, Polonia, Kenia, Shqipëria dhe Kosova, me fokus në temat e gjelbra dhe në metodat e reja të mësimdhënies.
Pjesëmarrësit u trajnuan për hartimin e kurseve për grupe specifike të synuara, për përdorimin e teknologjive digjitale dhe të inteligjencës artificiale në mësimdhënie, si dhe për krijimin e materialeve për platformat e mësimit online.
Programi përfshiu edhe prezantime për mundësitë e bashkëpunimit dhe të mobilitetit ndërkombëtar përmes Erasmus+, KA171, CEEPUS dhe BIP, si dhe vizita në laboratorët e RTU-së.
Në kuadër të punëtorisë, Selim Daku prezantoi materialet mësimore të përgatitura nga UKZ për kursin e hapur online të projektit, modulin Digital Transformation and Global Governance nga lënda Gender and Digital Transformation in Diplomacy.
Moduli trajton transformimin digjital të administratës publike dhe të diplomacisë, qeverisjen globale të hapësirës digjitale, matjen e qeverisjes elektronike, si dhe çështjet e gjithëpërfshirjes, të barazisë gjinore dhe të qëndrueshmërisë.
Materialet janë pjesë edhe e paketës Green Digital Governance, Diplomacy and Inclusive Innovation, të cilën e udhëheq UKZ.
Përfaqësuesit e UKZ-së morën pjesë edhe në takimin e Komitetit Menaxhues të projektit, ku u diskutua progresi i zbatimit të pakove të punës, sigurimi i cilësisë, progresi financiar dhe shpërndarja e rezultateve, si dhe u dakorduan hapat e ardhshëm.
Projekti AGILE Accelerating Green and Inclusive Learning Ecosystems koordinohet nga Harokopio University of Athens dhe synon modernizimin e arsimit të lartë përmes ekosistemeve të të nxënit të orientuara drejt kompetencave, që integrojnë aftësitë e gjelbra, digjitale dhe të biznesit.
Përmes kurrikulave inovative, laboratorëve modernë, platformave digjitale dhe bashkëpunimit universitet industri, projekti synon rritjen e punësueshmërisë së studentëve dhe të forcojë kapacitetet institucionale./dita24h/
