SHËNDETËSI/“Ngjyrat shërojnë”, arti në mbështetje të grave të mbijetuara nga kanceri i gjirit

Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, me moton “Ngjyrat shërojnë”, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka pranuar një vepër arti, dhuratë nga artistja Jalldeze Mustafa.

Vepra, e realizuar nga artisti Agron Ujkashi, përcjell një mesazh të veçantë përmes artit, ngjyrave dhe solidaritetit, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Kadriu ka falënderuar Jalldeze Mustafën për angazhimin e saj të vazhdueshëm, e cila tash e disa vite, përmes artit, synon të mbështesë gratë që kanë përjetuar këtë sëmundje.

Ajo ka vlerësuar se arti mund të jetë zë i shpresës, forcës dhe solidaritetit, ndërsa ka bërë të ditur se bashkëpunimi i tyre pritet të konkretizohet edhe përmes aktiviteteve në mbështetje të grave të mbijetuara nga kanceri i gjirit.

Hapi i radhës, sipas saj, do të jetë një bashkëpunim konkret, me synimin që përkrahja të mos mbetet vetëm në kuadër të simbolikës së Tetorit Rozë, por të shndërrohet në kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme për këto gra.

“Sepse ato kanë nevojë jo vetëm për përkrahje në fjalë, por edhe për kujdes, solidaritet dhe mbështetje të vazhdueshme”, ka theksuar Kadriu.

Shpërndaj me të tjerët