KULTURË/ Ansambli “Gjilani” shkëlqeu në “Gurra Popullore” të Top Channel

Për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gjilani” dhe udhëheqësin e tij, Afrim Haziri, ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të ishin pjesë e dritares së kulturës kombëtare përmes emisionit “Gurra Popullore” në ekranin e Top Channel, duke sjellë para publikut të gjerë pasurinë e çmuar shpirtërore të Anamoravës dhe Karadakut.

​Gjilani solli dje në skenën e Gurrës Popullore pasurinë e tij të çmuar kulturore dhe shpirtërore, përmes interpretimeve autentike, kostumeve tradicionale, këngëve, valleve të Karadakut dhe lojërave popullore, si dhe këngëve të kanagjegjeve, dasmave e gëzimeve familjare.

​I njohur ndryshe si qyteti i valleve, Gjilani shquhet për traditën e pasur të vallëzimit. Një vend të veçantë zunë zakonet dhe traditat e odave të burrave, që pasqyrojnë mikpritjen, besën, urtësinë dhe vlerat e çmuara popullore, si pjesë e një trashëgimie të pasur, të ruajtur me përkushtim dhe të përcjellë brez pas brezi.

​Siç thuhet shprehja, nëse Drenica e thotë me çifteli, Gjilani e thotë me valle.

​Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që kontribuan me përkushtim dhe profesionalizëm në realizimin e kësaj puntate të Gurrës Popullore në ekranin kombëtar Top Channel.

Falënderime të përzemërta për bashkëpunimin dhe kontributin e vyer në prezantimin e traditës gjilanase, si dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e zakoneve dhe traditave tona ndër breza.

​Mjeshtër i madh Edi Balili, mirënjohje dhe falënderim i veçantë për ju për këtë prezantim kaq të bukur dhe dinjitoz të traditës, kulturës dhe vlerave tona gjilanase në emisionin “Gurra Popullore”. Përmes punës suaj dhe profesionalizmit të gjithë ekipit, arritët që pasuria jonë kulturore, këngët, vallet, zakonet dhe traditat e Karadakut të prezantohen me dinjitet në një ekran kaq të rëndësishëm kombëtar.

​Faleminderit televizionit Top Channel, juve personalisht, si dhe të gjithë stafit profesional, moderatorëve, producentëve dhe realizuesve të kësaj puntate për mikpritjen, përkushtimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Respekt për ju, mjeshtër Edi, dhe për gjithë ekipin e Top Channel. Mirënjohje për punën që bëni në promovimin dhe ruajtjen e vlerave tona kulturore!

​Me respekt,

Ansambli i Këngëve & Valleve “Gjilani”

Afrim Haziri

​/dita24h/

Shpërndaj me të tjerët