GJILAN – Komuna e Gjilanit ka nisur zyrtarisht shpërndarjen e grupit të parë të pakove “Baby Box”, një nismë e cila synon t’i vijë në ndihmë 455 familjeve që së fundmi kanë mirëpritur fëmijët e tyre më të rinj.
Në ceremoninë e nisjes së këtij aksioni ishin të pranishëm Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, si dhe Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu.
Gjatë këtij aktiviteti, ata theksuan rëndësinë e kësaj mbështetjeje institucionale për prindërit e rinj dhe kujdesin e shtuar ndaj shëndetit dhe mirëqenies së foshnjave në ditët e tyre të para të jetës.
Nënkryetari Sadiku u shpreh se ky projekt përfaqëson një gjest simbolik por tejet domethënës të përkujdesjes së Komunës ndaj familjeve gjilanase, duke ndarë me to gëzimin e madh të ardhjes në jetë të gjeneratës më të re.
Pakot “Baby Box” përmbajnë produkte bazë dhe të nevojshme për kujdesin ndaj të porsalindurve.
Sipas komunës, shpërndarja e tyre do të vazhdojë në mënyrë të rregullt, me qëllim që secili foshnjë i lindur në territorin e Komunës së Gjilanit të përfitojë nga ky program mbështetës.
Me këtë rast, drejtuesit komunalë u kanë uruar prindërve të rinj shëndet, lumturi e mbarësi, ndërsa foshnjave një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të rrethuar me dashuri. /dita24h/
