PROFIL/ Nga tradita familjare te suksesi në pankinë, puna dhe edukata që veçojnë Ardian Nuhiun

Gjilan, 17 nëntor 2926- Një jetë e tërë e lidhur me futbollin, e nisur nga tradita familjare dhe e ndërtuar me disiplinë, karakter dhe punë të palodhshme.

Ardian Nuhiu, i lindur më 1978 në Shkup, sot është një nga emrat më të respektuar të trajningut në futbollin shqiptar, i rikthyer sërish në krye të FC Dritës për të shkruar kapituj të rinj suksesi.

​Tradita familjare dhe hapat e parë në fushën e gjelbër

​Për Ardian Nuhiun, futbolli nuk ishte thjesht një zgjedhje rastësore, por një trashëgimi e përcjellë brez pas brezi. Babai i tij kishte luajtur për skuadrën e vendlindjes gjatë viteve të 60-ta, ndërsa rrugën e tij e ndoqi vëllai i tij, Arben Nuhiu, i cili në fillim të viteve ’90 veshi fanellën e Shkëndijës së Haraçinës e më pas kaloi te gjiganti kroat Hajduk Split në vitin 1998, duke ndërtuar një karrierë ndërkombëtare.

​Duke ndjekur gjurmët e tyre, Ardiani i nisi hapat e parë te kategoritë e reja të Sloga Jugomagnat (sot FC Shkupi).

Vetëm 16 vjeç, ai bëri kapërcimin e madh drejt futbollit senior duke kaluar te Shkëndija e Haraçinës në Ligën e Dytë të Maqedonisë, ku kaloi katër vite vendimtare për formimin e tij si lojtar.

Si futbollist, ai ka luajtur si sulmues i krahut të djathtë dhe të majtë, duke mbuluar me sukses të dy pozicionet e sulmit, ndonëse më shumë ka luajtur nga krahu i djathtë, nga ku ka spikatur me depërtimet dhe karakterin e tij luftarak.

​Një karrierë e pasur me trofe dhe përvoja ndërkombëtare

​Pas formimit në Haraçinë, Nuhiu u rikthye te Sloga Jugomagnat, në atë kohë një ndër klubet më të forta të vendit, ku fitoi një titull kampioni dhe një Kupë, duke luajtur edhe në tri finale të tjera. Më pas, me Rabotniçkin shtoi edhe dy tituj të tjerë kampioni në koleksionin e tij.

​Karriera e tij mori dimension ndërkombëtar me transferimet në Shqipëri te Dinamo e Tiranës dhe Elbasani, në Iran te Steel Azin, si dhe në Izrael te Hapoel Acre.

Pas rikthimit në vendlindje, luajti për Vardarin dhe më pas te Shkëndija e Tetovës, ku ishte pjesë e gjeneratës së artë që i solli klubit tetovar titullin e parë kampion në histori.

Përfaqësimi me Kombëtaren e Maqedonisë mbetet një tjetër kapitull krenarie në rrugëtimin e tij si futbollist aktiv, të cilin e mbylli në moshën 37-vjeçare pikërisht aty ku nisi gjithçka, te FC Shkupi.

​Mësimet e profesor Edmond Mihës dhe kalimi në pankinë

​Menjëherë pas varjes së këpucëve në gozhdë, FC Shkupi i besoi fillimisht detyrën e ndihmës-trajnerit e më pas atë të trajnerit kryesor për dy vite.

Gjatë gjithë karrierës së tij si trajner, Nuhiu shprehet mirënjohës ndaj të gjithë teknikëve me të cilët ka punuar, por veçon me respekt të jashtëzakonshëm trajnerin dhe profesorin Edmond Miha.

​Kur ishte vetëm 17 vjeç, puna me profesor Mihën i mësoi rëndësinë e regjimit, disiplinës taktike dhe përgatitjes psikologjike e pedagogjike, mësime këto që Nuhiu i bart dhe i aplikon edhe sot në filozofinë e tij të punës.

​Epoka e artë dhe rikthimi në Gjilan te FC Drita

​Pas aventurës te FC Shkupi (2016–2018), viti 2019 shënoi kthesën më të rëndësishme në karrierën e tij si trajner, duke marrë drejtimin e FC Dritës. Për plot katër vite e gjysmë në Gjilan (2019–2022), Nuhiu ndërtoi një skuadër fituese.

Në sezonin e tij të parë, në vitin 2020, fitoi titullin kampion, ndërsa luajti edhe në një finale Kupe dhe një Superkupë.

​Megjithatë, kjo periudhë mbahet mend edhe për netët magjike evropiane, ku Drita u përball me dinjitet dhe personalitet ndaj gjigantëve si Feyenoord dhe Royal Antwerp, duke dëshmuar se me organizim dhe besim edhe klubet nga kampionatet e vogla mund të konkurrojnë denjësisht në Evropë.

Pas eksperiencave me KF Shkëndijën (2023), SC Gjilanin (2024–2025) dhe KF Tiranën (2025–2026), viti 2026 e riktheu atë sërish në stolin e FC Dritës.

Ky rikthim vjen me peshën e përgjegjësisë së madhe, por edhe me respektin e ndërsjellë me tifozët dhe mbështetjen maksimale të klubit.

​Profili i një trajneri model dhe filozofia e lojës

​Në opinionin sportiv, Ardian Nuhiu vlerësohet si një personalitet i përpiktë, ekspeditiv dhe jashtëzakonisht profesional.

Ai njihet si një njohës dhe lexues i shkëlqyer i skemave taktike dhe lojës së kundërshtarit, duke ruajtur gjithmonë qetësinë, urtësinë dhe seriozitetin në çdo rrethanë.

​Me kulturë të gjerë dhe edukatë të lartë sportive, Nuhiu shihet si shembull i një trajneri model për gjeneratat e reja se si duhet të sillet dhe të punojë një drejtues ekipi.

Filozofia e tij në fushë është e qartë: ai kërkon lojë të bukur, qarkullim të shpejtë të topit, menaxhim të ritmit dhe ngjyrë në lojë, duke i gërshetuar të gjitha parametrat e një trajneri modern me punën, disiplinën dhe ambicien e vazhdueshme për sukses./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët