SIGURI/Zjarrfikësit e Gjilanit pajisen me mjete moderne në vlerë mbi 17 mijë euro

GJILAN, 17 Nëntor 2026 – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është furnizuar me pajisje të reja moderne, të cilat synojnë rritjen e efikasitetit dhe sigurisë gjatë intervenimeve emergjente.

​Ky investim, me vlerë të përgjithshme prej 17,497 eurosh, është realizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) në Gjilan, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

​Në ceremoninë e pranim-dorëzimit mori pjesë drejtori i DMSH-së, Enver Shabani, me ç’rast u theksua se pajisjet e reja do të shërbejnë për ndërhyrje më të shpejta dhe më të sigurta në raste të zjarreve, aksidenteve të komunikacionit, vërshimeve, si dhe gjatë tërmeteve eventuale.

​Sipas drejtorisë, ky furnizim rrit ndjeshëm kapacitetet operative të zjarrfikësve gjilanas, duke garantuar shërbime më cilësore dhe mbrojtje më të lartë për qytetarët e kësaj komune./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët