GJILAN, 17 Nëntor 2026 – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është furnizuar me pajisje të reja moderne, të cilat synojnë rritjen e efikasitetit dhe sigurisë gjatë intervenimeve emergjente.
Ky investim, me vlerë të përgjithshme prej 17,497 eurosh, është realizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) në Gjilan, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit mori pjesë drejtori i DMSH-së, Enver Shabani, me ç’rast u theksua se pajisjet e reja do të shërbejnë për ndërhyrje më të shpejta dhe më të sigurta në raste të zjarreve, aksidenteve të komunikacionit, vërshimeve, si dhe gjatë tërmeteve eventuale.
Sipas drejtorisë, ky furnizim rrit ndjeshëm kapacitetet operative të zjarrfikësve gjilanas, duke garantuar shërbime më cilësore dhe mbrojtje më të lartë për qytetarët e kësaj komune./dita24h/
