GJILAN, 17 Nëntor 2026 – Këshilltari më aktiv në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fadil Ademi, ka apeluar publikisht te institucionet përgjegjëse për të zgjidhur problemin me parkimin e veturave në kryqëzimin e rrugës “Muhamed Hajredini” me rrugën kryesore “Isa Boletini”, në afërsi të “Monopol City”.
Përmes një reagimi publik, Ademi ka rikujtuar se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe në muajin maj, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Sipas tij, parkimi i automjeteve deri në vetë udhëkryqin ua pamundëson shoferëve shikueshmërinë e duhur gjatë daljes në rrugën kryesore, duke e kthyer këtë pikë në një rrezik të vazhdueshëm për aksidente.
Ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Gjilan që të ndërhyjnë menjëherë duke vendosur shenjat për ndalim-parkim dhe duke parandaluar bllokimin e kësaj pjese të rrugës.
“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa një zgjidhje për një problem që rrezikon çdo ditë qytetarët. Të mos presim të ndodhë ndonjë aksident që ky problem të marrë vëmendjen e duhur”, ka theksuar këshilltari Fadil Ademi./dita24h/
