LOKALE/Asambleisti Ademi ngre alarmin për rrezikun në trafik afër “Monopol City”

GJILAN, 17 Nëntor 2026 – Këshilltari më aktiv në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fadil Ademi, ka apeluar publikisht te institucionet përgjegjëse për të zgjidhur problemin me parkimin e veturave në kryqëzimin e rrugës “Muhamed Hajredini” me rrugën kryesore “Isa Boletini”, në afërsi të “Monopol City”.

​Përmes një reagimi publik, Ademi ka rikujtuar se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe në muajin maj, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Sipas tij, parkimi i automjeteve deri në vetë udhëkryqin ua pamundëson shoferëve shikueshmërinë e duhur gjatë daljes në rrugën kryesore, duke e kthyer këtë pikë në një rrezik të vazhdueshëm për aksidente.

​Ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Gjilan që të ndërhyjnë menjëherë duke vendosur shenjat për ndalim-parkim dhe duke parandaluar bllokimin e kësaj pjese të rrugës.

​“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa një zgjidhje për një problem që rrezikon çdo ditë qytetarët. Të mos presim të ndodhë ndonjë aksident që ky problem të marrë vëmendjen e duhur”, ka theksuar këshilltari Fadil Ademi./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët