Kur e shoh autoportretin e Hydajet Hysenit, të krijuar në vitin 1983 në qelinë e izolimit të Burgut Qendror të Beogradit, ndiej një peshë të madhe historike, emocionale dhe njerëzore.
Duke qenë pjesë e të njëjtit rrugëtim atdhetar e ilegal, ish-anëtar i Komitetit Drejtues të LPK-së dhe anëtar i Shtabit të Zonës Operative të Karadakut e zëdhënës i saj gjatë luftës së UÇK-së, e ndiej për obligim moral e kombëtar të flas për rëndësinë e kësaj dëshmie të rrallë.
Hydajet Hyseni i përket atij brezi veprimtarësh të pakompromis që nuk u mjaftuan me fjalë, por morën mbi vete rreziqet më të mëdha të veprimtarisë ilegale kundër pushtetit serbo-jugosllav.
Për angazhimin e tij të palëkundur, ai përjetoi hetuesi të rënda, izolim, dhunë dhe tortura çnjerëzore, të cilat e shkëputën nga jeta e lirë, por kurrë nga idealet dhe historia e qëndresës sonë.
Në errësirën e qelisë së sigurisë së lartë, i lidhur, i izoluar dhe i privuar nga liritë më elementare, atij i mohohej edhe një send aq i thjeshtë e i zakonshëm sa pasqyra.
Pas një kohe të gjatë pa e parë fytyrën e vet, në kontaktin e pak ujit në dysheme me një rreze drite, ai arriti të dallonte pamjen e tij të lodhur e të dërmuar nga vuajtjet dhe e hodhi atë në letër me një laps të thjeshtë.
Për mua, ky veprim nuk është thjesht vizatimi i një të burgosuri politik. Është një akt i jashtëzakonshëm i ruajtjes së dinjitetit dhe lidhjes me vetveten në kushte kur gjithçka synohej të thyhej.
Të vizatosh fytyrën tënde pasi të është mohuar pasqyra në mes të torturës dhe vetmisë ekstreme, tregon një forcë të rrallë shpirtërore e morale.
Ky autoportret i vitit 1983 ka një domethënie që shkon përtej historisë personale.
Ai na kujton se lufta për liri nuk është zhvilluar vetëm në tubime, demonstrata apo fushëbeteja, por edhe në heshtjen e rëndë të qelive, ku ruhej idealizmi dhe paepësia.
Besoj se kjo vepër dhe kjo përvojë e rëndë meritojnë të ruhen, të dokumentohen dhe të nderohen si pjesë e çmuar e trashëgimisë sonë historike e kombëtare, në mënyrë që brezat e rinj ta kuptojnë më thellë çmimin e lirisë dhe sakrificën e atyre që nuk u dorëzuan kurrë.
Ismet Sylejmani
