SIGURI/Stuhia e fuqishme e erës shkakton dëme në Gjilan, ekipet emergjente në terren

GJILAN – Stuhia e fuqishme e erës që përfshiu Komunën e Gjilanit gjatë natës së 19 dhe 20 nëntorit ka shkaktuar dëme materiale në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave, duke vënë në lëvizje ekipet emergjente.

​Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), në bashkëpunim me Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), ka ndërhyrë menjëherë për të menaxhuar situatën. Drejtori i DMSH-së, Enver Shabani, ka dalë në terren për të koordinuar largimin e pjesëve të rrezikshme të fasadave, të cilat ishin shkëputur nga disa objekte të banimit kolektiv.

Po ashtu, sipas raportimeve zyrtare, nga era e fortë është dëmtuar kulmi i një shtëpie në fshatin Livoç i Epërm, ndërsa në Lagjen e Dëshmorëve janë rrëzuar disa drunj. Ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar për largimin e drunjve nga rruga, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt për automjetet dhe qytetarët.

​Masat parandaluese për reagim ndaj këtyre incidenteve ishin ndërmarrë paraprakisht në bazë të paralajmërimeve të Agjencisë Meteorologjike të Kosovës për kushte të pafavorshme atmosferike.

​Meqenëse paralajmërimet për mot të lig vazhdojnë edhe për ditët në vijim, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar.

Qytetarët këshillohen të jenë të vëmendshëm veçanërisht në hapësirat e hapura dhe në afërsi të objekteve me fasada të dëmtuara, drunjve dhe elementeve të tjera që mund të paraqesin rrezik.

​Autoritetet ftojnë banorët të respektojnë rekomandimet e sigurisë dhe të raportojnë me kohë çdo situatë që mund të rrezikojë jetën e njerëzve dhe pronën, teksa ekipet mbeten në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës.

Shpërndaj me të tjerët