KULTURË/Klubi Letrar “Nositi” shënon 28 Nëntorin në Dardanë me orë letrare dhe konkurs poetik

Në organizim të Klubit Letrar “Nositi” dhe në koordinim me Drejtorinë e Kulturës, në ambientet e Bibliotekës së qytetit në Dardanë u mbajt ora e madhe letrare kushtuar 28 Nëntorit – Festës së Flamurit.

​Aktiviteti kishte edhe karakter garues, ku konkurruan 48 poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Meqë konkursi ishte anonim, juria vlerësoi të gjitha krijimet e paraqitura pa anashkaluar asnjë autor, ndërsa prania e madhe e krijuesve bëri që ngjarja të zhvillohet me vlera të arrira artistike. Programin e moderoi me elegancë profesoresha Donjeta Kryeziu.

​Në emër të organizatorit, të pranishmit i përshëndeti kryesia e klubit, duke theksuar se “Nositi” prej vitesh e shënon këtë festë që unifikon Ditën e Flamurit, të Alfabetit dhe nëntorët e lirisë, ndërsa fjala artistike ka mbajtur gjallë idealizmin dhe dashurinë për atdheun.

Fjalë rasti mbajti edhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Afrim Dervishi, i cili vlerësoi se 28 Nëntori ruan themelet e kulturës shqiptare dhe se në Dardanë fjala poetike ka jehonën e lirisë dhe sakrificës së dëshmorëve.

​Poezitë e tyre i lexuan poetët pjesëmarrës: Izet Kallaba, Farida Ramadani, Sadik Kovani, Bekim Beka, Selvete Abdullahu, Nazmie Hasani, Fatmushe Gërguri, Diona Bajraktari, Bujar Salihu, Xhemkadri Kastrati, Safete Graiçevci Jakupi, Hysen Këqiku, Sulejman Dërmaku, Rrushe Hasimja, Sadete Tërnava dhe Nazim Bislimi, si dhe poetët jashtë konkurrencës: Xhevdet Kallaba, Raif Gashi, Alma Ferunaj dhe Minuvere Muja Maka.

​Juria profesionale në përbërje të Baki Krasniqit, Arsim Halilit dhe Musa Ahmetajt ndau tri çmimet kryesore, ku vendi i parë i takoi Sadete Tërnavës me poezinë “Drojë andrrash” (shifra: “Rrëfenjza”), vendi i dytë Bujar Salihut me poezinë “Himerë” (shifra: “Nata e fundit e vjetit 1900”), ndërsa vendi i tretë Izet Kallabës me poezinë “Cila stinë më dogji mallin” (shifra: “Stina ma dogji mallin”). Gjithashtu, juria veçoi edhe disa poezi të tjera për botim në numrin e ardhshëm të revistës “Nositi”.

​Nga Klubi Letrar “Nositi” falënderuan për mbështetjen e vazhdueshme ndërmarrjen “Vëllezërit Borovci” SHPK (Kamer e Mustafë Borovci), kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, Drejtorinë e Kulturës, si dhe Gani Kryeziun për arkivimin dhe pasqyrimin pamor të aktivitetit, duke vlerësuar se kjo përkrahje po i jep gjallëri jetës kulturore në qytet. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët