SPORT/KK AS nga Gjilani shkëlqen në Tiranë me nëntë medalje mbarëkombëtare

Klubi i Karatesë AS nga Gjilani ka shënuar një paraqitje të suksesshme në Kampionatin Mbarëkombëtar të Karatesë, të mbajtur në Tiranë për nder të 28 Nëntorit 2026, duke fituar gjithsej nëntë medalje, prej të cilave pesë të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta.

​Garueset e klubit gjilanas kanë treguar nivel të lartë përgatitjeje dhe konkurrence në të dyja disiplinat, kata dhe kumite, duke u shpallur pesë herë kampione mbarëkombëtare për vitin 2026.

Në këtë kampionat, Erina ka fituar dy medalje të arta, duke u shpallur kampione si në disiplinën kata ashtu edhe në kumite, ndërsa Kiara ka rrëmbyer medaljen e artë dhe titullin e kampiones në disiplinën kumite.

Sukseset kanë vazhduar me Alean, e cila është stolisur me medaljen e artë në kumite dhe me medaljen e argjendtë në kata, si dhe me Alnisën, e cila ka fituar medaljen e artë në kumite dhe medaljen e bronztë në kata.

Po ashtu, Tixhja ka zënë vendin e dytë dhe është shpallur nënkampione në disiplinën kumite, kurse Bora ka fituar medaljen e bronztë në disiplinën kata.

​Trajneri i klubit, Alban Beqiri, është shprehur i kënaqur me angazhimin, disiplinën dhe rezultatet e arritura nga garueset e tij në këtë garë mbarëkombëtare./dita24h/

​

Shpërndaj me të tjerët