SPORT/Pavarësisht lëndimit, Agim Agushi thyen rekordin e Guinness-it në Dubai

GJILAN, 28 nëntor 2026 – Zhongleri i njohur shqiptar nga Vitia, Agim Agushi, ka shënuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme në përpjekjen e tij të radhës për librin e rekordeve “Guinness”, duke u ngjitur deri në katin e 139-të të ndërtesës më të lartë në botë, “Burj Khalifa” në Dubai, teksa mbante topin në kokë pa ndërprerje.

​Përmes një njoftimi, Agushi ka bërë të ditur se ngjitja u ndal në këtë pikë për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë sfidës, por rezultati i arritur mjafton për të vendosur një rekord të ri botëror.

​“Arrita të ngjitem deri në katin e 139-të të ‘Burj Khalifa’-s, por për shkak të një problemi me ligamentet në këmbën e djathtë, u detyrova të ndaloj për arsye të dhimbjes që kisha. Megjithatë, duke qenë se arrita deri në atë pikë pa ndërprerje, me sukses ngjita 2,842 shkallë për 1 orë e 35 minuta, çka përbën Rekordin Botëror Guinness për numrin më të madh të shkallëve të ngjitura pa ndërprerje duke zhongluar topin me kokë”, ka bërë të ditur Agushi.

​Ai ka shtuar se tani pritet që organizata “Guinness World Records” (GWR) ta certifikojë zyrtarisht këtë arritje në javët në vijim. /dita24h/

​

Shpërndaj me të tjerët