ARSIM/Drejtori i Arsimit të Kamenicës, në vizitë studimore në Zagreb për praktika dhe modele të reja arsimore

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, Selami Klaiqi, po merr pjesë në një vizitë studimore në Zagreb të Kroacisë, së bashku me kolegun Sabit Zulfijaj, si pjesë e delegacionit zyrtar nga Kosova të kryesuar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Përparim Kryeziu.

​Sipas njoftimit të publikuar nga Klaiqi, kjo vizitë po shërben si një përvojë e rëndësishme profesionale për t’u njohur nga afër me praktikat, modelet dhe qasjet bashkëkohore të organizimit dhe zhvillimit të sistemit arsimor.

​Gjatë qëndrimit në Zagreb, delegacioni kosovar ka zhvilluar takime në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kroacisë, në Komunën e Zagrebit, në Universitetin e Zagrebit, si dhe në institucione të arsimit parauniversitar.

Në këto takime është diskutuar për mundësitë e avancimit të sistemit arsimor, inovacionin në mësimdhënie, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe krijimin e mjediseve më cilësore për nxënësit.

​Vizita studimore është mbështetur nga UNICEF-i, duke vënë në pah rëndësinë e partneriteteve ndërinstitucionale dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe mirëqenies së fëmijëve.

​Klaiqi është shprehur mirënjohës për mikpritjen dhe mundësinë e përfaqësimit të Komunës së Kamenicës në këtë nivel, duke shtuar se përvojat dhe njohuritë e fituara nga Kroacia do të shërbejnë si nxitje shtesë për përmirësimin e vazhdueshëm të procesit edukativo-arsimor në komunë./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët