GJILAN, 28 nëntor 2026 – Zhongleri i njohur shqiptar nga Vitia, Agim Agushi, ka shënuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme në përpjekjen e tij të radhës për librin e rekordeve “Guinness”, duke u ngjitur deri në katin e 139-të të ndërtesës më të lartë në botë, “Burj Khalifa” në Dubai, teksa mbante topin në kokë pa ndërprerje.
Përmes një njoftimi, Agushi ka bërë të ditur se ngjitja u ndal në këtë pikë për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë sfidës, por rezultati i arritur mjafton për të vendosur një rekord të ri botëror.
“Arrita të ngjitem deri në katin e 139-të të ‘Burj Khalifa’-s, por për shkak të një problemi me ligamentet në këmbën e djathtë, u detyrova të ndaloj për arsye të dhimbjes që kisha. Megjithatë, duke qenë se arrita deri në atë pikë pa ndërprerje, me sukses ngjita 2,842 shkallë për 1 orë e 35 minuta, çka përbën Rekordin Botëror Guinness për numrin më të madh të shkallëve të ngjitura pa ndërprerje duke zhongluar topin me kokë”, ka bërë të ditur Agushi.
Ai ka shtuar se tani pritet që organizata “Guinness World Records” (GWR) ta certifikojë zyrtarisht këtë arritje në javët në vijim. /dita24h/
