Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, Selami Klaiqi, po merr pjesë në një vizitë studimore në Zagreb të Kroacisë, së bashku me kolegun Sabit Zulfijaj, si pjesë e delegacionit zyrtar nga Kosova të kryesuar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Përparim Kryeziu.
Sipas njoftimit të publikuar nga Klaiqi, kjo vizitë po shërben si një përvojë e rëndësishme profesionale për t’u njohur nga afër me praktikat, modelet dhe qasjet bashkëkohore të organizimit dhe zhvillimit të sistemit arsimor.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, delegacioni kosovar ka zhvilluar takime në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kroacisë, në Komunën e Zagrebit, në Universitetin e Zagrebit, si dhe në institucione të arsimit parauniversitar.
Në këto takime është diskutuar për mundësitë e avancimit të sistemit arsimor, inovacionin në mësimdhënie, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe krijimin e mjediseve më cilësore për nxënësit.
Vizita studimore është mbështetur nga UNICEF-i, duke vënë në pah rëndësinë e partneriteteve ndërinstitucionale dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe mirëqenies së fëmijëve.
Klaiqi është shprehur mirënjohës për mikpritjen dhe mundësinë e përfaqësimit të Komunës së Kamenicës në këtë nivel, duke shtuar se përvojat dhe njohuritë e fituara nga Kroacia do të shërbejnë si nxitje shtesë për përmirësimin e vazhdueshëm të procesit edukativo-arsimor në komunë./dita24h/
