Dr. Muharrem Sadiki: Radiologjia, semafori i mjekësisë moderne

 

Nga malësia e Bujanocit drejt majave të mjekësisë

Dr. Muharrem Sadiki, i lindur dhe rritur në fshatin Qarr të komunës së Bujanocit, është një nga profesionistët më të përkushtuar të mjekësisë moderne në Kosovë. Frymëzimi për këtë rrugëtim nisi që në fëmijëri, i nxitur nga figurat lokale, dajëllarët e tij, dr. Ilazi dhe laboranti Qamil nga Novosella e Epërme,  por edhe nga dëshira e thellë për t’u shërbyer njerëzve të vendlindjes.

Shkollimin fillor e kreu në fshatin Muhoc, ndërsa shkollën e mesme në Gjilan, në drejtimin e mjekësisë. Me synime të qarta dhe vullnet të palëkundur, ai vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku diplomoi në vitin 2006, në një afat rekord.

Fillimet e karrierës dhe përkushtimi në profesion

Pas diplomimit, nisi praktikën profesionale në QKMF dhe Spitalin Regjional të Gjilanit. Në periudhën 2007–2011 punoi si mjek i përgjithshëm në QKMF-në e Bujanocit, duke fituar përvojë të vyer në praktikën klinike.

Në vitin 2011 vendosi të specializohej në radiologji, një fushë që e kishte pasion. Specializimin e përfundoi me sistemin 3+1: tri vite në Kosovë dhe një vit jashtë vendit, të gjitha të financuara nga vetë ai. Përveç Prishtinës, ka ndjekur trajnime profesionale në Vojvodinë (2014), Gjermani (Stuttgart 2015, Dortmund 2022), Zvicër (2018) dhe së fundmi në Turqi (Stamboll 2023/24).

Ekspertizë e thelluar në radiologji

Që nga viti 2016 është i angazhuar si specialist në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, ku ka mbajtur edhe pozitën e shefit të Diagnostikës Gastrointestinale dhe Urogjenitale. Përveç kësaj, ka kontribuar edhe në institucione të tjera si International Medicine Hospital (IHM), Swiss Hospital në Gjilan dhe Poliklinika Olive.

Ekspertiza e tij përfshin: Ultrazërin e të gjitha sistemeve,  Echo Doppler arterial dhe venoz, Tomografi të kompjuterizuar dhe angjiografi, përfshirë angjiografinë e zemrës,  Rezonancë magnetike,  Mamografi dhe ultrazër i gjirit,  Radiologji intervente: biopsi nën udhëheqje të CT dhe ultrazërit (tiroide, mushkëri, mëlçi, kocka, gjinjë),  Neuroradiologji intervente: DSA dhe Stroke.

Ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe kongrese brenda dhe jashtë vendit. Ndër temat e punimeve dhe prezantimeve të tij janë: Mixoma e atriumit të majtë të zemrës,  Tiranë, nën mentorimin e prof. dr. Gani Bajaktari, Tromboza e sinuseve venoze cerebrale, Prishtinë, 2014, Tandem lezionet , Tiranë, 2024,  Epilepsia, bashkëpunim me mjekë të Koç University, Stamboll,  Trombektomia mekanike , bashkëpunim me Aydin University, Stamboll 2023–2024

Shkencëtar me shpirt arti dhe pasion për leximin

Përveç përkushtimit profesional, dr. Muharremi është i apasionuar pas artit dhe letërsisë. Gjatë viteve të studimeve ka lexuar mbi 250 romane nga letërsia botërore dhe shqiptare. Në fëmijëri merrte pjesë në orë letrare, shkruante poezi dhe garonte në biologji e fizikë në nivelet komunale dhe rajonale.

Ky kombinim i shpirtit human, kreativ dhe logjik e ka bërë atë një mjek të kompletuar, profesional, i saktë dhe komunikues i shkëlqyer.

“Unicamed”, një vizion i kthyer në realitet

Me shtytjen e miqve dhe kërkesat e kohës, në prill të vitit 2024 themeloi Poliklinikën “Unicamed” në Gjilan, ku është aksionari kryesor. Në një periudhë të shkurtër, kjo qendër moderne është shndërruar në pikë referimi për shëndetësinë private në Anamoravë dhe më gjerë.

Unicamed numëron mbi 40 punonjës dhe bashkon profesionistët më të aftë të rajonit, shumë prej të cilëve janë të angazhuar edhe në QKUK. Synimi është i qartë: ofrimi i shërbimeve të specializuara me cilësi të lartë, etikë dhe përkushtim profesional.

“Radiologjia është semafori i mjekësisë”

“Radiologjia është pika kyçe e mjekësisë moderne. Ajo ndalon sëmundjen për ta zbuluar, lexuar e analizuar, përpara se mjekësia të nisë trajtimin,” shprehet dr. Sadiki.

Sot, ai është një nga radiologët më të kërkuar në vend. Pacientët nga gjithë Kosova, Lugina e Preshevës, diaspora dhe më gjerë, i drejtohen atij për leximin profesional të incizimeve dhe mendimin e dytë mjekësor. I njohur për komunikim të hapur dhe përkushtim të vazhdueshëm, ai është gjithmonë i gatshëm për ndihmë.

Dr. Muharrem Sadiki është dëshmi e një rrugëtimi të ndërtuar me pasion, dije dhe integritet. Një emër që nuk ndalet së kontribuuari në përmirësimin e shëndetit publik dhe avancimin e mjekësisë moderne në Kosovë.

Shpërndaj me të tjerët