Emër që ka ndërtuar besim
Nëse je maturant apo i ri që po martohesh në Gjilan, është thuajse e pamundur të mos e kesh vizituar butikun S’U Collection, që gjendet në Agmia Center. Jo se nuk ka edhe butike të tjera, por çmimi, cilësia dhe eleganca që ofron ky butik janë bërë simbol për shumë të rinj në prag të ditëve më të rëndësishme të jetës së tyre.
Këtë sukses e udhëheq Meti Ukshini, pronari i këtij biznesi tekstili, i cili trashëgon një traditë familjare të nisur që para luftës. Pas ndarjes nga biznesi familjar, Meti nisi më vete në vitin 2016, duke u përqendruar fillimisht në një pikë shitjeje në Gjilan. Me punë të palodhshme dhe vizion të qartë, në vitin 2023 ai hapi edhe një pikë tjetër në Prishtinë.
Nga një punëtor, në një ekip të vogël që ofron stil të madh
Në fillim, për gati një vit Meti punoi i vetëm, por me rritjen e kërkesës nisi të angazhojë punëtorë të tjerë. Sot, butiku funksionon me katër punëtorë të rregullt, duke u kthyer në një biznes stabil dhe të besuar.
Fokusi kryesor i S’U Collection është veshja e maturantëve dhe dhëndurëve, me komplete që përfaqësojnë elegancë, stil dhe finesë. Por Meti thekson se aty gjenden edhe veshje të përditshme për meshkuj me stil urban dhe modern.
Emri që ruan rrënjët
Emri i butikut S’U Collection nuk është i rastësishëm, inicialet “S’U” vijnë nga emri i babait të Metit, Selami Ukshini, si një shenjë nderimi dhe vazhdimësie familjare, ndërsa “Collection” i referohet koleksioneve të zgjedhura të veshjeve që ofron butiku.
Cilësi që flasin vetë
“Prerje moderne, stil që flet vetë dhe cilësi që të rri si e qepur për ty. Prerje të reja, detaje të rafinuara dhe cilësi të lartë. Stil i pastër, detaje që flasin dhe një pamje që jep vetëbesim sapo ta provosh”, thotë Meti duke përshkruar filozofinë e tij të dizajnit dhe shërbimit.
Ai shton se shpesh bën ulje të çmimeve, për shkak se klientët e tij vijnë kryesisht nga shtresa me të ardhura mesatare, dhe ai mundohet t’u përgjigjet mundësive të tyre pa kompromentuar cilësinë.
Zemërgjerësi që nuk flet me fjalë, por me vepra
Meti tregon se shpeshherë ka pasur raste kur dikush nuk ka pasur mundësi të paguajë ose nga pamundësia financiare, ose thjesht sepse i vinte keq. “I kam thënë: vishu, martohu, shko në mbrëmje, nuk ke nevojë të paguash asgjë,” thotë ai. Dhe në ato momente, tregon Meti, fytyra e atyre njerëzve qeshte nga gëzimi.
Edhe pse vetë nuk dëshiron të flasë shumë për këtë anë të tij, janë të tjerët, klientët dhe miqtë, që e dëshmojnë këtë sjellje. Meti njihet për zemërgjerësinë e tij, për qasjen dashamirëse dhe për faktin që është gjithmonë pranë njerëzve, i afërt, komunikues dhe dorëlirë.
Ku eleganca tërheq klientë nga e gjithë Kosova dhe diaspora
S’U Collection nuk është bërë destinacion vetëm për gjilanasit, aty vijnë klientë nga të gjitha viset e Kosovës, nga Lugina e Preshevës, madje edhe mërgimtarë nga Evropa që e njohin përmes rrjetit dhe e vizitojnë gjatë pushimeve verore.
Në S’U Collection, çdo maturant e dhëndër gjen atë që i nevojitet, nga kostumet elegante, këpucët klasike, deri tek aksesorët që kompletojnë pamjen finale.