Staf i ri, përforcime cilësore dhe rezultate pozitive në miqësore
Kika e Hogoshtit i ka hyrë me seriozitet përgatitjeve për sezonin e ri, me synime të qarta për të qenë konkurrente e denjë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Me ndryshime të shumta në përbërje dhe staf teknik, klubi është në fazën finale të përgatitjeve, të cilat kanë shkuar sipas planit dhe me ecuri pozitive.
Pesë ndeshje kontrolluese, bilanc i fortë: 4 fitore, 1 barazim
Skuadra ka zhvilluar pesë ndeshje miqësore, ku ka treguar formë të mirë. Ka shënuar fitore ndaj: Tefik Cangës 2:0, Lepencin 2:1, Gjilanit U21 6:1, Besës së Pejës 3:2, ndërsa ka barazuar me Prizrenin 1:1 në udhëtim.
Veç rezultatit, në këto ndeshje janë testuar të gjithë lojtarët, duke ndihmuar stafin teknik të krijojë një pasqyrë të qartë për ekipin.
Deri në fillimin e kampionatit, Kika ka paraparë të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese, për të kompletuar përgatitjet dhe për të testuar formën e skuadrës. Këto duele do t’i shërbejnë trajnerit Sherifi dhe stafit të tij për të finalizuar formacionin bazë dhe për të qartësuar rolet e secilit lojtar para sfidave të para në ligë.
Trajner i ri dhe emra të rinj në ekip
Kikës këtë sezon i është rikthyer strategu i njohur gjilanas, Sallah Sherifri, i cili më parë ka drejtuar këtë skuadër dhe tani vjen sërish në rolin e trajnerit kryesor. Në stafin teknik ai ka përkrah Skënder Hoxhën dhe Mërgim Kastratin, vëllain e futbollistit të njohur Lirim Kastrati, ndërsa për përgatitjen e portierëve kujdeset Etrit Gagica.
Skuadra është përforcuar me 7 lojtarë të rinj, shumica nga rajoni i Gjilanit, disa me përvojë dhe disa të rinj të talentuar, që konsiderohen si investim për të ardhmen.
Nisin kampionatin më 17 gusht ndaj një rivali të fortë
Liga e Parë e Kosovës në futboll starton më 17 gusht, njëkohësisht me Superligën. Kika e Hogoshtit e nis edicionin e ri me një sfidë të fortë në shtëpi ndaj KEK-ut, një skuadër me përvojë dhe ambicie për t’u ngjitur më lart.
Në xhiron e dytë, Kikën e pret udhëtimi i vështirë drejt Vushtrrisë, përballë një tjetër rivali serioz dhe me histori në futbollin kosovar. Ndërsa në ndeshjen e tretë, do të përballet në shtëpi me Feronikelin, një ekip i njohur për investime dhe pretendime të larta.
Ky fillim sezoni me tri ndeshje të njëpasnjëshme kundër skuadrave pretendente paraqet një sfidë serioze për Kikën, por edhe një mundësi për të dëshmuar pjekurinë dhe përgatitjen e ekipit në këtë edicion.