Suksesi i madh i Dritës, e cila u kualifikua për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, është shpërblyer bujarisht nga drejtuesit e klubit. Lojtarët dhe stafi teknik do të marrin një shumë prej 200 mijë eurosh premi, në shenjë mirënjohjeje për rrugëtimin e jashtëzakonshëm dhe sakrificat e bëra deri në këtë fazë.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë shpërblim është fakti se presidentët e klubit, në çdo hyrje të mjeteve financiare, gjithmonë kanë ndarë fitimin me ekipin, pa kërkuar kurrë të jenë hisedarë. Kjo kulturë e drejtë dhe bujare ka krijuar besim të madh mes drejtuesve dhe futbollistëve, duke e shndërruar Dritën në një familje të vërtetë sportive.
Drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi, i emocionuar pas ndeshjes deklaroi se ky është realizimi i një ëndrre të madhe:
“Ky sukses është plotësimi ynë. Kemi pasur shumë pengesa gjatë rrugës, por në fund u shpërblyem me këtë arritje historike. Është një shpërblim jo vetëm për lojtarët dhe stafin, por edhe për familjarët tanë që na kanë mbështetur gjithmonë. Për mua personalisht është momenti më i madh i karrierës sime. Edhe nëse arrijmë suksese të tjera, kjo natë do të mbetet e paharruar.”
Ai shtoi se emocioni ka qenë i jashtëzakonshëm: “Presidentët, trajneri dhe familjarët janë përlotur. Ishte një ndeshje me emocione të forta dhe një arritje që nuk përshkruhet lehtë.”
Zymberi gjithashtu theksoi rëndësinë e menaxhimit të këtij suksesi:
“Çdo ekip që kemi hasur në Evropë ka pasur kushte më të mira se ne, por ne kemi treguar karakter. Duhet të mësojmë nga çdo ndeshje, të mos biem në eufori dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ky është vetëm fillimi, dhe ne duhet të punojmë akoma më shumë për t’u bërë shembull për futbollin kosovar.”
Sipas tij, të ardhurat nga ky sukses do të investohen për klubin dhe do të shpërndahen në mënyrë meritore tek lojtarët dhe stafi. “Pa dyshim, presidentët janë ata që na kanë sjellë deri këtu. Ata janë më të merituarit për këtë rrugëtim.”
Me këtë kualifikim, Drita ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar, duke u bërë e vetmja skuadër që do ta përfaqësojë vendin në fazën e grupeve të një gare evropiane këtë sezon.