Gjylshen Berisha, profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, është një ndër figurat më të njohura të arsimit dhe kulturës në Gjilan.
E lindur në Ohër më 1957, në një familje të ndritur arsimdashëse, ajo u rrit mes librave dhe përkushtimit për dije.
Babai i saj, mësues, e frymëzoi që herët të shihte arsimin si mision, jo vetëm si profesion.
Në shtëpi, lexohej çdo ditë, dhe bibliotekën familjare e mbushnin libra që ushqenin shpirtin e fëmijëve.
Në vitet e shkollës fillore, fatin e mirë të jetës ia solli arsimtarja Lemane Muftiu, e diplomuar në Tiranë, e cila e nxiti të lexonte dhe të shkruante me pasion.
Ky frymëzim e ndoqi edhe në gjimnaz, ku kishte profesorë të shquar si Agim e Arif Vinca dhe Xhevat Lumani.
Një poezi e saj e botuar në “Zërin e rinisë” ishte shenja e parë e shpirtit krijues që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Nga klasa e nxënëses te udhëheqja e shkollës
Pas studimeve në Fakultetin Filologjik të Shkupit (1976–1979), Gjylshenja u vendos në Gjilan, ku ndërtoi familjen dhe karrierën.
Pas diplomimit, rrugët e saj u ndalën në Gjilan, aty ku dashuria e saj me Ymer Berishën u kurorëzua me bekimin e një jete të përbashkët.
Fillimisht punoi në shkollën “Thimi Mitko”, në Gjilan, më pas në QAMO, e përfundimisht në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, duke u bërë pjesë e pandashme e historisë së arsimit në qytet.
Këshilla e babait , “Mos e lër asnjë nxënës pas, Kosova ka nevojë për të diplomuar”, do të ishte busulla e saj jetësore.
Vitet e sakrificës dhe qëndresës
Në periudhën e trazuar të viteve ’80 e ’90, Gjylshen Berisha u bë simbol i qëndresës në arsim.
Babai i saj u dënua me burg për bindjet kombëtare, por ajo nuk u ndal asnjëherë.
Në kohën kur shqiptarët u dëbuan nga shkollat, ajo ishte në ballë të organizimit të “shtëpi-shkollave”, duke u siguruar që asnjë fëmijë të mos mbetej pa mësim.
Për dy vite rresht ishte kryetare e Sindikatës së Pavarur të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, duke udhëhequr me kurajë një prej kapitujve më të ndritshëm të arsimit në Kosovë.
Drejtore me vizion dhe mision
Në vitin 1996, ajo u emërua drejtoreshë e Gjimnazit “Zenel Hajdini”, detyrë që e mbajti deri në vitin 2000.
Nën drejtimin e saj, shkolla u bë jo vetëm vatër e dijes, por edhe e shpresës.
Rinia e Gjilanit, e goditur nga represioni, gjente në shkollë një vend ku mësohej, por edhe ku besohej se drita do të vinte.
Në vitin 1997, ajo udhëhoqi nismën e parë të binjakëzimit të shkollave mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërmjet “Zenel Hajdinit” të Gjilanit dhe “Hydajet Lezha” në Lezhë , një simbol i bashkimit shpirtëror kombëtar.

Nga arsimi në institucionet publike
Pas luftës, ajo vijoi punën në Drejtorinë Komunale të Arsimit, më pas në Zyrën Rajonale për Arsim, duke mbuluar komunat e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Novobërdës.
Në këtë periudhë, Gjylshenja tregoi një kujdes të veçantë për cilësinë e arsimit dhe për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
Në nivel qendror, shërbeu për dy mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës, duke qenë anëtare e komisioneve për arsim, kulturë, rini dhe barazi gjinore.
Trashëgimia kulturore dhe kontributi qytetar
Me themelimin e Muzeut të Qytetit të Gjilanit, ajo mori drejtimin e këtij institucioni, të cilin e udhëhoqi nga viti 2016 deri më 2022, kur edhe doli në pension.
Nën kujdesin e saj, muzeu u bë një hapësirë e gjallë kujtese, ku historia e qytetit u ruajt dhe u prezantua me dashuri.
Gjylishenja ishte po ashtu aktive në Ars Club, duke ndihmuar në organizimin e aktiviteteve letrare, kulturore dhe artistike, që pasuronin jetën kulturore të Gjilanit.
Fryma që nuk shuhet me pensionin
Edhe pse sot e pensionuar, Gjylshen Berisha mbetet një shpirt i gjallë dhe i pranishëm në çdo aktivitet kulturor e arsimor në qytet.
Me vitalitetin e saj, ajo vazhdon të frymëzojë të rinjtë, kolegët dhe gjithë ata që besojnë se arsimi është rruga më e ndritur drejt zhvillimit shoqëror.
Në çdo ngjarje, në çdo përurim libri apo ekspozitë, ajo shfaqet me të njëjtin pasion e buzëqeshje, si atëherë kur mbante orën e parë të mësimit.
Një jetë në shërbim të dijes dhe qytetit
Gjylshen Berisha është shembull i rrallë i gruas që ia kushtoi jetën dijes, arsimit dhe kulturës.
Nga bankat e vogla të Ohrit deri te udhëheqja e institucioneve të Gjilanit, ajo ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen qytetare e kombëtare, një figurë që e nderon arsimin, gruan dhe qytetin e saj.

