Reshjet e shiut që përfshinë vendin tonë kanë pasur një ndikim mjaft pozitiv në mjedis, duke përmirësuar lagështinë e tokës për bujqësinë, pastruar ajrin dhe shtuar rezervat ujore. Për këtë fundjavë, sinoptikanët parashikojnë një përmirësim të motit dhe rritje të temperaturave.
E shtunë, do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 23°C. Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja dhe veriperëndimi.
E dielw, parashihet mot me vranësira dhe intervale me diell, ku vende-vende mund të ketë edhe riga lokale shiu. Temperaturat shënojnë rritje, ku ato minimale do të jenë mes 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet do të prekin vlerat nga 24 deri në 27°C.
Indeksi UV do të jetë i moderuar deri i lartë. Ekspertët rekomandojnë shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell, veçanërisht të dielën nga ora 10:00 deri në 16:00.
Moti do të jetë relativisht i këndshëm dhe me kushte të favorshme për aktivitete në natyrë, sidomos gjatë ditës së shtunë.

