Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare po shkon drejt fundit. Kur janë numëruar 2,387 nga 2,634 vendvotime apo saktësisht 90.62% e tyre, tashmë është krijuar një pasqyrë e qartë se cilët kandidatë nga rajoni i Gjilanit kanë siguruar ulësen e deputetit, si dhe sa është numri i përgjithshëm i deputetëve për secilin subjekt politik në shkallë vendi.
Nga votat e numëruara deri më tani, në nivel nacional Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49 deputetë, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 deputetë.
Në nivel rajonal, ky rezultat reflektohet me sukses të madh për kandidate gra të LVV-së, ndërsa PDK dhe LDK përfaqësohen me nga një lider votash nga Anamorava.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 49 deputetë në total (4 nga Gjilani)
Nga radhët e partisë që aktualisht udhëheq me 49 ulëse në Kuvend, pothuajse e kanë të konfirmuar fitoren katër kandidate gra nga Gjilani, të cilat kanë grumbulluar një mbështetje të madhe: Arbëresha Kryeziu Hyseni – 18,536 vota, Adriana Matoshi – 15,441 vota, Liza Gashi – 14,501 vota dhe Labinotë Demi Murtezi – 13,994 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 24 deputetë në total (1 nga Gjilani)
Nga radhët e PDK-së, që ka siguruar 24 deputetë në nivel vendi, ulësen nga Gjilani e ka fituar Prof. Arben Mustafa, gjithwnjw mbi 90% të votave.
Ai jo vetëm që ka fituar brenda subjektit të tij, por aktualisht mban edhe primatin si kandidati më i votuar nga të gjithë deputetët e rajonit të Gjilanit, me gjithsej 26,300 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 19 deputetë në total (1 nga Gjilani)
Nga radhët e LDK-së, e cila në projeksionet e fundit numëron 19 deputetë, ulësen në parlament e ka siguruar nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri, i cili ka rreth vetes një mbështetje prej 24,352 votash.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 8 deputetë në total (Asnjë nga Gjilani)
Për dallim nga subjektet e tjera, ndonëse AAK ka siguruar 8 deputetë në shkallë vendi, nga dega e saj në Gjilan për momentin asnjë kandidat nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për të marrë një ulëse në legjislaturën e re.
