TRAFIKU / Aksidentet dhe gjobat në Anamoravë, policia jep detajet nga aksioni njëjavor në rrugë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Stacioneve Policore, ka vazhduar angazhimin e shtuar në terren për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Në kuadër të zbatimit të planeve operative gjatë periudhës nga 5 qershor deri më 11 qershor 2026, polica ka shqiptuar gjithsej 1,315 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut.

Përveç gjobave të përgjithshme, përgjatë kësaj jave janë ndërmarrë masa specifike dhe janë hetuar një numër i konsiderueshëm i rasteve:  është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik për 33 ngasës, janë hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale si dhe 12 aksidente të tjera ku ka pasur të lënduar, janë ndëshkuar 60 ngasës të motoçikletave për mosrespektim të rregullave dhe janë shqiptuar 31 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u bën thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes maksimal.

Policia apelon që të respektohen me përpiktëri dispozitat ligjore: të ulet shpejtësia e lëvizjes, të mos përdoret telefoni celular, të vendoset rripi i sigurimit dhe të shtohet kujdesi ndaj këmbësorëve.

Gjithashtu, kërkohet që në asnjë mënyrë të mos neglizhohet sinjalistika rrugore dhe semaforët, pasi kontributi i secilit ndihmon në uljen e aksidenteve në rajonin tonë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët