Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, java që po hyjmë do të karakterizohet nga mot kryesisht i ngrohtë dhe me diell, ndonëse nuk do të mungojnë vranësirat kalimtare dhe reshjet e izoluara të shiut.
Nga e hëna deri të premten, temperaturat ditore do të luhaten nga 10°C në mëngjes deri në 34°C gjatë orëve të pasdites.
Reshje shiu të përcjella me shkarkime rrufesh priten kryesisht gjatë ditës së martë dhe pasdites së të mërkurës.
Ndërkohë, e enjtja dhe e premta sjellin stabilizim të motit dhe rënie të lehtë të temperaturave minimale.
Këto kushte atmosferike do të jenë përgjithësisht të favorshme për sektorin e bujqësisë, duke ndihmuar pjekjen e kulturave vjeshtore.
Megjithatë, për shkak të temperaturave të larta dhe avullimit të shpejtë, në disa zona mund të paraqitet nevoja për ujitje shtesë, ndërsa lagështia e herëpashershme mund të kërkojë kujdes nga sëmundjet e bimëve.
