ARSIM DHE BIZNES / UKZ hap dyert për bashkëpunim me investitorë dhe kompani nga India

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pritur një delegacion të investitorëve dhe përfaqësuesve të bizneseve nga India, në kuadër të vizitës së tyre në Gjilan për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat e arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Delegacioni i kryesuar nga Dr. Asif Iqbal u prit nga Prorektorja për Mësimdhënie, Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikçi, e cila prezantoi aktivitetet, programet studimore dhe orientimin strategjik të universitetit drejt ndërkombëtarizimit.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për shkëmbim studentësh dhe stafi akademik, organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore, si dhe krijimin e partneriteteve me institucione akademike dhe kompani nga India.

Vëmendje e veçantë iu kushtua fushës së teknologjisë informative, ku u shqyrtua mundësia e zhvillimit të programeve të përbashkëta të trajnimit dhe certifikimit për studentët e Shkencave Kompjuterike, me synim rritjen e kompetencave profesionale dhe përgatitjen e tyre për tregun ndërkombëtar të punës.

Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për t’i konkretizuar idetë e diskutuara në projekte dhe aktivitete të përbashkëta në të ardhmen.

 

 

Shpërndaj me të tjerët