Pas gati tri dekadash në shërbim të arsimit, është pensionuar mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Hafize Halili, nga shkolla e mesme e ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan.
Karrierën e saj ajo e nisi në vitin 1997 në shkollën fillore “Vatra e Diturisë” në Livoq të Epërm, ku punoi deri më 2004, për të vazhduar më pas në “Rexhep Elmazi”, ku për 21 vite radhazi ka qenë pjesë e pandashme e këtij kolektivi.
E njohur për përkushtim, korrektësi dhe dashuri ndaj punës, mësuesja Hafize ka qenë frymëzim për nxënësit dhe bashkëpunëtore e çmuar për kolegët.
Ajo njihej për përpikëri, energji dhe përfshirje të vazhdueshme në aktivitete shkollore, shpesh në ballë të tyre.
Në nder të kontributit të saj u organizua një ceremoni modeste, por tejet emocionale, ku në emër të shkollës foli ushtruesi i detyrës së drejtorit, Ramzi Baliqu, ndërsa në emër të familjes foli djali i saj, avokati Arbër Halili.
E emocionuar, mësuesja Hafize falënderoi kolegët, nxënësit dhe gjithë ata që ishin pjesë e rrugëtimit të saj profesional, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në edukimin e brezave të rinj.


