Ashensori i paraparë në hapësirat e Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike tashmë ka hyrë në funksion dhe është në shërbim të qytetarëve të komunës së Gjilanit.
Ky investim u mundëson qytetarëve qasje shumë më të lehtë në shërbimet që ofron kjo drejtori.
Lajmin e ka bërë të ditur Fadil Ademi, ushtrues detyre i shefit në sektorin e Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës në Gjilan.
“Pas më shumë se 25 vitesh, kjo nevojë më në fund është plotësuar. Në qeverisjen e kryetarit Alban Hyseni, kjo është bërë realitet,” ka deklaruar Ademi.
Ai theksoi se ashensori i ri u ka krijuar kushte më të mira të gjithë qytetarëve, veçanërisht personave me aftësi të kufizuara.
“Me përkushtim për çdo qytetar kemi mundësuar kushte më të mira edhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët tani përfitojnë nga ashensori i ri që siguron qasje të plotë në objekt. Ata marrin shërbime më shpejt e më lehtë në sportelin e veçantë në Gjendjen Civile, të dedikuar posaçërisht për ta,” ka shtuar Ademi.
Në fund, ai tha se ky është vetëm një ndër projektet konkrete që tregojnë kujdesin për çdo qytetar të komunës së Gjilanit, duke theksuar se “vazhdon puna me projekte që lehtësojnë jetën e njerëzve”.


