Skuadra e SC Gjilanit hyn në përballjen kundër Prishtinës me besim dhe përkushtim të plotë për të arritur rezultat pozitiv, pavarësisht formës momentale dhe pozitës në tabelë.
Trajneri Debatik Curri, i cili më parë ka qenë edhe pjesë e Prishtinës si lojtar e trajner, shprehet optimist për ndeshjen, ndonëse është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Jemi gati për përballjen dhe për të dëshmuar që kemi kualitetin e duhur për t’u ngritur. Na pret një kundërshtar shumë i fortë, lider i kampionatit, dhe kjo ndeshje konsiderohet si derbi”’, ka deklaruar Curri në konferencën para ndeshjes.
Sipas tij, edhe pse Gjilani gjendet në një situatë jo të mirë në tabelë: “Duhet të tregojmë që nuk jemi larg për nga cilësia dhe shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv”, ka pohuar mes tjerash numri 1 i bankinës së Gjilanit..
Ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në këtë edicion kishte përfunduar me fitoren e Gjilani me rezultat 3:1.
Përballja Prishtina – Gjilani zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:30.
Aktualisht, Prishtina kryeson renditjen me 25 pikë, ndërsa Gjilani ndodhet në pozitën e parafundit me 11 pikë.

