Drita kërkon vetëm fitore ndaj Llapit, fokusi maksimal për objektivin e radhës

 

Drita nuk njeh alternativë tjetër përveç fitores në përballjen e sotme ndaj Llapit, pasi vetëm tri pikë e mbajnë skuadrën gjilanase në garë për kreun e tabelës.

Mesfushori i Dritës, Ilir Mustafa, ka theksuar se skuadra është plotësisht e përqendruar në këtë sfidë:

“Jemi të fokusuar 100% në 90 minutat e ndeshjes për të arritur tri pikëshin tonë. Duhet ta harrojmë ndeshjen e javës së kaluar dhe të mendojmë vetëm për fitoren e radhës,” deklaroi Mustafa.

Edhe trajneri Zekirija Ramadani ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët e tij, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë të ngjeshur për skuadrën.

“Ka qenë një javë e lodhshme, por futbollistët duhet të dalin nga vetja dhe të japin maksimumin, si ndaj Llapit ashtu edhe në ndeshjen e së enjtes në Irlandë. Ne jemi këtu për t’i mbështetur djemtë dhe jam i bindur se, nëse vazhdojmë kështu, do ta menaxhojmë mirë edhe pjesën tjetër të kampionatit,”  tha Ramadani.

Ai shtoi se te Drita nuk ekziston relaksimi:

“Te ne ka vetëm përqendrim dhe angazhim maksimal nga të gjithë, sepse kampionati është maratonë.”

Ndeshja FC Drita – FC Llapi zhvillohet sot në orën 13:00, në “Stadiumin Sintetik” të Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët