Stadiumi i ri i FSHF-së ndez debatet në Luginë: Presheva propozon Zhunicën, Tërnoci kërkon të ketë në fshatin e kapitenit Gjimshiti

 

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndezur debatet në Luginën e Preshevës, pas publikimit të një videoje nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila bashkë me bashkëpunëtorët e saj prezantoi projektpropozimin për ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit, që pritet t’i dërgohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Sipas propozimit të paraqitur nga Komuna e Preshevës, stadiumi planifikohet të ndërtohet në fshatin Zhunicë, në afërsi të qytetit. Megjithatë, ky vendim ka nxitur reagime të ashpra nga banorët e fshatit Tërnoc në Komunën e Bujanocit – fshati më i madh shqiptar në Luginë dhe vendlindja e kapitenit të Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti.

Banorët e Tërnocit kanë kërkuar publikisht që stadiumi të ndërtohet në fshatin e tyre, duke argumentuar se Tërnoci ka traditë të gjatë sportive, infrastrukturë më të zhvilluar dhe figura simbolike që përfaqësojnë denjësisht futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkruan mediumi lokal në Bujanoc, perspektiva.info.

Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e mbajtur të premten në “Shtëpinë e Futbollit”, ka konfirmuar planin për ndërtimin e një fushe futbolli në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar atë si një investim historik dhe të parë të këtij lloji në këtë trevë me popullatë shqiptare.

Sipas FSHF-së, projekti synon të krijojë një hapësirë të sigurt, edukative dhe sportive për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të Luginës, si dhe një qendër komunitare sportive, ku mund të zhvillohen ndeshje, turne dhe aktivitete ndërkufitare.

 

Shpërndaj me të tjerët