Profesoresha e deritashme e Shkencave Kompjuterike të Aplikuara në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Lindita Nebiu Hyseni, ka njoftuar se ka filluar një kapitull të ri të karrierës së saj në Gjermani.
Përmes një postimi emocionues në Facebook, ajo bëri të ditur se ka filluar punë si Prof. Dr. e Shkencave Kompjuterike të Aplikuara (Applied Computer Sciences) në SRH University, në Mynih.
Në mesazhin e saj falënderues, profesoresha Lindita shprehu mirënjohje ndaj Zotit, familjes dhe të gjithë atyre që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Ajo theksoi se është e lumtur që mund të kontribuojë në nivel global në fushën e zhvillimit të web-aplikacioneve dhe programimit, ndërsa këtë arritje e cilësoi edhe si realizim të dëshirës së prindërve dhe mbështetjes së bashkëshortit, Alban Hysenit.
“Uroj që Zoti të ma mundësojë një ditë ta bëj krenare Kosovën time të dashur”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Ky sukses është një tjetër shembull frymëzues i kontributit dhe profesionalizmit të kuadrove akademike nga Gjilani që po bëjnë emër edhe jashtë vendit.

