Bashkimi për Ndryshim Anamorava përkrah Alban Hysenin në balotazh

 

Subjekti politik Bashkimi për Ndryshim Anamorava ka njoftuar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Gjilan do të përkrahë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, për kryetar komune.

Në njoftimin e publikuar, subjekti ka falënderuar të gjithë përkrahësit dhe simpatizantët për mbështetjen e dhënë gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se vota e qytetarëve u ka siguruar përfaqësim në Asamblenë Komunale të Gjilanit.

“Besimi dhe vota juaj i dhanë Bashkimit për Ndryshim Anamorava një vend në Asamblenë Komunale, por mbi të gjitha, na dhanë zë për t’ju përfaqësuar me dinjitet. Tani që po hyjmë në balotazh, kemi një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit tonë,” thuhet në njoftim.

Pas, siç thuhet, bisedave të hapura dhe konstruktive me Alban Hysenin, Bashkimi për Ndryshim Anamorava ka vendosur t’i japë mbështetje të plotë kandidatit të Vetëvendosjes në balotazhin e 9 nëntorit.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje dhe ta konfirmojnë z. Alban Hyseni për kryetar, sepse vetëm së bashku mund të sjellim ndryshimet e nevojshme për Gjilanin,” përfundon njoftimi, i nënshkruar nga kryetari i subjektit, Isa Agushi, në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje – Gjilan.

 

Shpërndaj me të tjerët