Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, ka marrë pjesë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në ceremoninë e promovimit të dy librave të Rektorit të këtij institucioni, Prof. Dr. Bekim Fetahu.
Me këtë rast, Rektori Dermaku mbajti një prezantim me temë “CSP, Hipergrafët, Hipertree dhe Inteligjenca Artificiale”, ku trajtoi konceptet teorike dhe praktike që lidhen me problemet e kufizuara të kënaqshmërisë dhe përdorimin e strukturave të hipergrafëve në zhvillimin e metodave të inteligjencës artificiale.
Ndërsa Rektori Fetahu theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe botimeve akademike për zhvillimin e arsimit të lartë dhe ngritjen e cilësisë në mësimdhënie. Ai mbajti një ligjëratë me temën “Constraints Satisfaction Problems, Hypergraphs, Hypertrees and AI”, duke ndriçuar lidhjen mes inteligjencës artificiale dhe strukturave të avancuara matematikore në shkencat kompjuterike.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimet e ardhshme ndërmjet dy universiteteve, përfshirë mundësinë e krijimit të programeve të reja master në fushën e Computer Science, që do të kontribuojnë në avancimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Ky aktivitet u prit me interes nga të pranishmit dhe shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

